2015-08-21 10:35:00

Rubrika Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës: “Ars moriendi”


Emisioni VII i Rubrikës sonë “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi studimin, botuar në Civiltà Cattolica-3921, 2 novembre 2013; Quindicinale: Anno 164, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, titullohet  “Ars  moriendi”- “Art për të vdekur”. Duke iu kushtuar përpjekjeve të qeverisë komuniste shqiptare për të asgjësuar Kishën katolike shqiptare, del përsëri jashtë kornizës së studimit bazë 1.

Asgjësimi i Kishës Katolike në Shqipëri u krye me disa faza. E para, ajo e viteve 1944-1948, kur nisën pushkatimet në masë, burgimet, internimet, dëbimet e misionarëve të huaj, mbyllja e shkollave, ndalimi i botimeve, shtetëzimi i pronave kishtare, duke e lënë Kishën pa strehë e grigjën pa barinj. Niste, kështu, koha e martirizimit, nësa Papa polak ishte ende prift i thjeshtë, që e kryente misionin në rrethana të përafërta, po kurrë aq kriminale si ato  të Shqipërisë, ku nuk u prenë disa koka, por u pre koka e Kombit, ajo që  ishte në gjendje të mendonte, të kundërshtonte, të printe drejt një jete tjetër, universale. Prej këndej, edhe sulmi për ta shkëputur me çdo kusht  Kishën katolike nga Selia e Shenjtë. Sulm, i cili arriti një pikë tjetër kulmore, me ngulmimin për miratimin e një Statuti, me synim shkëputjen e Kishës nga Papa, duke themeluar Kishën kombëtare, që ‘de jure’ nuk mund të ekzistonte, sepse skizmatike. Ishin vitet ’50, kur nisën bisedimet ndërmjet kryeministrit Shehu e ipeshkvit  Shllaku, “me një kambë vorr”, siç shprehej ai vetë, i vetmi që kishte shpëtuar gjallë nga masakra e madhe. Ipeshkvit iu paraqitën disa variante të Statutit. Nuk  pranoi në asnjë mënyrë t’i nënshkruante. Deri tek varianti përfundimtar, pas marrëveshjes së heshtur, që ipeshkvijtë të zgjidheshin nga Papa, me propozimin e Kishës. Atëhere imzot Shllaku përpiloi një letër për Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, përmes së cilës propozonte  dom Pjetër Demën si kryeipeshkëv i Durrësit e imzot Ernest Çobën si i Shkodrës. Ipeshkvi plak u bind se shkresa e tij kishte mbërritur në Vatikan, vetëm kur erdhi miratimi, nënshkruar nga kardinali Montini2. E gjithë kjo, pas disa mbledhjeve të atyre pak klerikëve, që kishin mbetur ende gjallë e që jetonin më shumë në burg. Shumica, kundra të gjitha projekt-statuteve me vulë të kuqe. E natyrshme. Mjafton të kujtojmë se në nenin 1 të variantit të miratuar, shkruhej: “Kisha Katolike ka karakter nacional, është person juridik dhe përfshin në gjirin e saj të gjithë besimtarët katolikë në Shqipëri, Ajo frymëzohet nga parimet fetare të Kishës katolike botërore, që është themeluar nga Jezu Krishti ndën kryesinë fetare të Papës, pasardhës i Apostullit Pjetër. Ajo nuk mban me Papën asnjë marrëdhënie organizative,  ekonomike ose politike”.2

Kur kleri dha miratimin e Statutit, monsinjor Gaspër Gurakuqi pati përdorur fjalët e famshme ungjillore: “In verbo tuo, laxabo rete”. Nuk u mor kurrë vesh ia thoshte ipeshkvit, vetes apo Krishtit!

Të tjerët nuk deshën as ta dëgjojnë shprehjen “modus vivendi”, që ishte bërë e njohur edhe ndërmjet tyre, e as “modus non moriendi”. Kundërshtarët e quajtën këtë marrëveshje ndërmjet Qeverisë e Kishës, që përfundoi me miratimin e  Statutit, “modus moriendi”3, mënyrë për të vdekur. U duk sikur Kisha Katolike në trojet shqiptare po jepte frymën e fundit!

Kur erdh emërimi i ipeshkvijve të rinj prej Rome, disa e panë si të ishte një farë miratimi. Të tjerë dyshuan se letra ishte e falsifikuar.4 E vërtetë apo e rreme? Këtë do ta vërtetojnë dokumentet. Në këtë kohë Enver Hoxha, duke folur gjatë një vizite në Rrëshenin katolik, mburrej para banorëve: “Më në fund e ndamë Kishën katolike nga merimaga e zezë e Vatikanit”.

Që Vatikani nuk e kishte pasur aspak të lehtë të vendoste, e tregon fakti se miratimi nga Sekretaria e Shtetit erdhi vetëm në vitin 1952, ndërsa emërimi i ipeshkvijve nga Papa Piu XII, autor i Enciklikës së famshme antikomuniste, u njoftua në  Vjetarin Papnor të viteve 1960.

Po për Kishën në trojet shqiptare nuk kishte përfunduar ende koha e martirizimit: do të arrinte një kulm tjetër në vitin 1967, me sulmin përfundimtar kundër të gjitha institucioneve fetare. Më 6 shkurt 1967 Enver Hoxha mbante fjalimin famëkeq, i cili shënonte atë, që diktatori duhet ta kishte menduar si fazë përfundimtare të dënimit me vdekje të vetë Zotit, në fronin e të cilit besonte se ishte ulur prej kohe.  Me një dekret të publikuar më 22 nëntor 1967, Shqipëria u shpall zyrtarisht shteti i parë dhe i vetëm ateist në botë dhe në histori. U ndalua me Kushtetutë çdo shprehje fetare. E sot shumëkush pyet: si shpjegohet që Shqipëria ishte i vetmi vend  komunist në gjithë bllokun lindor, që u shpall me kushtetutë vend ateist?  

Kësaj pyetjeje do t’i japin përgjigje dokumentet, që presin të shikojnë dritën. Vetëm atëhere do të mund të rindërtohet plotësisht e vërteta.  Një prej tyre, sa për shembull, u botua kohët e fundit. Titullohet “Urdhëresa sekrete e Enver Hoxhës:  ‘Ja si t’i zhdukni kishat e xhamitë’”. Pa  bujë, pa  e detyruar me forcë popullin,  të mbyllim fillimisht shkollat fetare, që të mos mund të përgatisin kuadro të rinj, të ndalojmë shtypjen e librave e të shembim kishat e xhamitë…”.5 Kështu e drejtonte ai vetë dhunën e viteve ’60, që në shtypin e kohës u quajt “lëvizje popullore” e pasqyruar deri në veprat letrare që, çuditërisht, vijojnë të lexohen ende.

Ost Politika e Vatikanit, me sa dihet deri më sot, pak e aspak mundi të depërtonte në Shqipëri, por do të vinte një ditë kur, pikërisht Papa polak antikomunist, do t’i gjente përsëri “kuadrot”,  e do të rimëkëmbte, ndonëse në mes të rrënojave, hjerarkinë e Kishës Shqiptare, me vizitën e tij të paharrueshme të vitit 1993.

 

1. Cfr  Markus W. E. Petrus, Geschichte der Katholischen Kirche in Albanien 1919-1993, Otto Harrassowitz, Wiesbaden 2003 fq. 183- 1888

2 cfr P. Zef Pllumi, Rrno vetem me tregue, II, 1950-1967, Tiranë, 1997, fq 36.  

3 Atë Gjergj Vata S.I., “Atë Pjetër Meshkalla”, dorëshkrim

4 cfr P. Zef Pllumi, Rrno vetem me tregue, II, 1950-1967, Tiranë, 1997, fq 40-67. Përmban edhe Statutin e plotë.

5  “Urdhëresa sekrete Enver Hoxha: Ja si t’i zhdukni kishat dhe xhamitë Redaksia Online http:// Shqiptarja. com








All the contents on this site are copyrighted ©.