2015-08-20 12:42:00

Papa për Takimin e Riminit: çojuni të gjithëve Ungjillin e dashurisë së Zotit


Sot u hap në Rimini të Italisë, Takimi për miqësinë e popujve, organizuar çdo vit nga Lëvizja katolike “Bashkim e Çlirim”. Në mesazhin e tij, që mban firmën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, Papa Françesku u kërkon pjesëmarrësve, ardhur nga e gjithë bota e si çdo vit, edhe nga Shqipëria, t’u propozojnë të gjithëve me forcë, bukuri e thjeshtësi, Lajmin e Mirë të dashurisë së Zotit. Tema e sivjetme është marrë nga një poezi e shkrimtarit të njohur italian Mario Luzi: “Çfarë mungese është kjo mungesë, o zemër, që papritmas je plot me të?”.

Pyetjet janë të shumta, por përgjigjet, të pjesshme

         Zemra është e shqetë, nuk kënaqet kurrë e është gjithnjë në kërkim, pohohet në mesazhin e Papës.  Pyetjet janë të shumta: jeta e vdekja, dashuria, puna, drejtësia e lumturia, të gjitha argumente të diskutueshme në botën e sotme, e cila shpesh, s’di të bëjë tjetër, veçse t’i ofrojë njeriut përgjigje të pjesshme e pafundësi të rreme. E rreziku është “mohimi i dinjitetit njerëzor”, një lloj “kolonizimi ideologjik”, që zvogëlon edhe “perceptimin e nevojave të vërteta të zemrës”, në mënyrë që asaj t’i mjaftojnë përgjigjet e kufizuara.

Vetëm Zoti mund ta mbushë zemrën

         Vetëm Zoti, pohon më tej Papa Françesku, mund të japë përgjigjen, që presin të gjithë, ndërsa njerëzit e kësaj bote e kërkojnë “tek suksesi, tek paraja, tek pushteti e drogat e çdo lloji, tek plotësimi i dëshirave të çastit”. Vetëm Zoti mund ta mbushë zemrën. “Edhe nëse jeta e njeriut është terren plot gjemba e barëra të këqija – vëren Ati i Shenjtë – ka gjithnjë një vend, ku fara e mirë mund të rritet. Duhet t’i besojmë Zotit”.

T’i afrojmë të gjithë

         Takimi i Riminit, përfundon mesazhi, mund ta ndihmojë Kishën të mos kënaqet me pak e t’u çojë të gjithëve Krishtin, Lajmin e Mirë që i përgjigjet etjes për amshim të çdo zemre njerëzore.








All the contents on this site are copyrighted ©.