2015-08-20 12:35:00

Papa Françesku: Taizé ndryshoi marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve


Në përfundim të audiencës së përgjithshme të djeshme, Papa Françesku kujtoi se sot bashkësia e Taizé-së mbush 75 vjet e se vetëm pak ditë më parë u përkujtua 10-vjetori i vdekjes së themeluesit, frère Roger Schutz. Kujtojmë se ai u vra nga një grua me të meta mendore, gjatë lutjes së mbrëmjes.

         Në mesazhin, dërguar eprorit aktual të bashkësisë, frère Alois, Papa falenderon Zotin, i cili bën të lindin “gjithnjë dëshmitarë të rinj, besnikë deri në fund”. Duke cituar Benediktin XVI, Papa e quan frère Roger “dëshmitar të palodhur të Ungjillit të paqes e të pajtimit, i cili digjet në zjarrin e ekumenizmit të shenjtërisë”.

         “Ishte ky zjarr – nënvizon -  që e nxiti të themelojë një bashkësi, e cila mund të konsiderohet ‘shembëlltyrë e vërtetë bashkimi’, me një rol të rëndësishëm për ndërtimin e urave të vëllazërimit ndërmjet të krishterëve”.

         “Duke kërkuar me pasion unitetin në Kishë, Korp i Krishtit, frère Roger – shkruan Papa Françesku – ia hapi zemrën thesareve të ruajtura nga traditat e ndryshme të krishtera, pa e mohuar origjinën e tij protestante. Me këmbënguljen e tij ka kontribuar në ndryshimin e marrëdhënieve ndërmjet të krishterëve, akoma të ndarë, duke përvijuar për shumë vetë udhën e pajtimit”.

         Kujtojmë se si çdo vit, në Taizé shkon edhe një grup shqiptarësh katolikë dhe ortodoksë.








All the contents on this site are copyrighted ©.