2015-08-20 11:05:00

Rubrika Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore: “Ars non moriendi”


Emisioni VI i Rubrikës sonë “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi  Studimin, botuar në Civiltà Cattolica-3921, 2 novembre 2013; Quindicinale: Anno 164, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale,  titullohet Ostpolitik vatikanase: “Ars non moriendi”- “Art për të mos vdekur”

Sekretari i Shtetit i Palit VI, kardinali Jean-Marie Villot e pati quajtur politikën lindore më shumë “ars non moriendi” (art për të mos vdekur) sesa “modus vivendi” (mënyrë për të jetuar).

Sipas imzot Casarolit, katolicizmi polak, ashtu siç ishte organizuar nga Kardinali primat, mund t’i bënte ballë diktaturës edhe për ndonja dhjetë vjet, por jo më shumë. Sipas tij, në të ardhmen, do të ishte e nevojshme  të arrihej ndonjë marrëveshje e re me regjimin. Ipeshkvijtë polakë, ndërmjet të cilëve edhe Wojtyla, mendonin ndryshe. Ata nuk e pranuan këtë qëndrim të Palit VI e të imzot Casarolit. Ostpolitik vatikanase nuk u pëlqente aspak polakëve, e jo vetëm atyre. Ipeshkvijtë polakë, nuk dëshironin që Selia e Shenjtë të ndërhynte në çështjet fetare të Kishës së tyre, e aq më pak dëshironin që përfaqësuesi i Vatikanit të merrej vesh për punët e Kishës me qeverinë komuniste, pa miratimin e hjerakisë vendase, që i njihte shumë më mirë situatat e njerëzit.

E megjithatë, kur do të emëronte Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, Gjon Pali II zgjodhi pikërisht imzot Casarolin.  Papa e vlerësonte për frymën e shërbimit dhe besnikërinë ndaj Kishës, pavarësisht nga moskuptimet  e fillimit, që u ridukën përsëri ndonjë herë. “Dëshiroj të jem i nevojshëm për Papën, pati thënë një herë Casaroli, por më duket se jemi dy njerëz krejt të ndryshëm”.1

Faktet tregojnë, e do ta tregojnë edhe më mirë dokumentet, kur të hapen, se në vitet e mëpasme vijoi të punojë me kërkesën e vetë Gjon Palit II, duke ndërmjetësuar vazhdimisht mes dy qëndrimeve: atij të mëparshmit, me vulën e Ostpolitikës vatikanase montiniane, pra të Palit VI, e atij militant, me vulën e Papës antikomunist polak, me qëllim që të arriheshin rezultate të dobishme për Kishën, që rënkonte pa asnjë mbrojtje, veç Zotit, nën thundrën e hekurt komuniste, përtej perdes së hekurt. Atë perde synonte ta shembte, dhe e shembi, Gjon Pali II.

Në një bisedim me sekretarin e Shtetit amerikan Schulz, në vitin 1982, kur tashmë revolucioni paqësor në Poloni e kishte bërë një copë rrugë, sekretari i Shtetit të Vatikanit, duke cituar mendimin e Papës, pati thënë: “Polonia  dëshmon se për t’i hapur të çara sistemit të sundimit sovjetik, mund të shfrytëzohet jo vetëm Solidarnosc, por edhe forcat e tjera popullore e prodhuese”.  Faktikisht, më vonë ndodhi pikërisht kështu. Gjon Pali II pati një rol të rëndësishëm në këtë proces transformimi, madje, sipas shumë studiuesve të epokës, ai qe elementi vendimtar për shembjen e regjimit komunist në Poloni e, në perspektivë, edhe për rënien e gjithë perandorisë së kuqe sovjetike 2, që tashmë, duke kujtuar studimin e mëparshëm të atë Gjon Sales, kushtuar Perandorisë otomane, i ngjiste shumë të sëmurit të Bosforit. Në këto rrethana duhen ikuadruar tre shtegtimet e para të Wojtylës në atdheun e tij, para shembjes së Murit të Berlinit.   

1 S. P. Huntington, Lo scontro delle civiltà e il nuovo ordine mondiale , Milano, gazanti, 2000, 162

Cfr. A. Vircondlet, Giovanni palo II. La biografia del Papa, che ha cambiato storia, Roma, Lindau, 2005, 328.

2 G.Weigel, Testimone della speranza. La vita di Giovanni Paolo II, Milano, Mondadori, 2005, 373. 








All the contents on this site are copyrighted ©.