2015-08-19 15:30:00

Papa: puna duhet ta mbështesë familjen, përndryshe shoqëria degradohet


“Puna është e shenjtë”, sepse u jep dinjitet njerëzve dhe familjeve, duke krijuar edhe kushtet, që toka të zhvillohet sipas planit krijues të Zotit. Mijëra njerëzve, mbledhur sot në Sallën Pali VI në Vatikan, për audiencën e përgjithshme, Papa u foli për vizionin e krishterë të punës që, pohoi, nuk duhet t’i mbajë “peng” familjet, sepse e bazuar vetëm mbi përfitimin ekonomik të atyre, që e drejtojnë.

“Shtëpia inteligjente”, monument i frytshmërisë, në të cilën punohet shumë, por punën e bën vetëm kush ka forcë e aftësi për të krijuar fitime. E “shtëpia e përbashkët”, ajo, në të cilën natyrisht punohet rëndshëm, por ku puna nuk kthehet në armik të familjes, ku të moshuarit nuk shikohen si barrë e fëmijët nuk mbetën jetimë, sepse prindërit, ende të gjallë,  kthehen në ingranazhe të makinës prodhuese. E para të josh, me organizimin e saj. E dyta ka pësuar shumë plasaritje, vëren Françesku, që i kujton të dyja, nësa shpjegon cila është plot me shpresa, e cila pa to, duke pasur parasysh atë, që dëshiron vërtet njeriu në jetë, në familje, në prodhim.

Dinjiteti i bukës, që shtrohet në sofrën familjare

Tema e katekizmit ishte lidhja e familjes me punën e, për të krishterin, çdo lloj pune, duke nisur nga ajo brenda mureve të shtëpisë, nënvizoi Papa, është bashkëpunim me Zotin në krijim, domethënë, shikohet si vepër shenjte:

“Puna është e shenjtë. E prandaj të drejtosh punësimin, do të thotë të marrësh mbi vete përgjegjësi të madhe njerëzore e shoqërore, që nuk mund të lihet në pak duar, e as të shkarkohet mbi tregun e hyjnizuar. Të bëhesh shkaktar i humbjes së vendeve të punës, do të thotë të shkaktosh një dëm të rëndë shoqëror”.

E, duke folur jashtë tekstit zyrtar, lirisht, Papa  u solidarizua  me viktimat e njërës nga të këqijat më të mëdha të kohëve tona, papunësisë:

“Unë trishtohem, kur shikoj se ka njerëz pa punë, që nuk gjejnë punë, e u mungon dinjiteti i njeriut të aftë për të çuar në shtëpi bukën e përditshme. E gëzohem shumë, kur shoh se qeveritarët i bëjnë të gjitha përpjekjet për të hapur vende të reja pune, për t’u siguruar punë të gjithëve. Puna është e shenjtë, puna i jep dinjitet familjes. Duhet të lutemi që asnjë familjeje të mos i mungojë puna”.

Puna, që e bën të bukur tokën

Më pas Papa vijoi të kujtonte se puna ndikon fuqimisht mbi shndërrimin e vendit, ku jetohet e, në përgjithësi, mbi Planetin tonë. Kujtoi se në zanafillë toka e sapo krijuar ishte tytë, pa bar, pa ujra, pa gjethime, pa gëmusha të blerta, sepse askush nuk kishte nisur të vinte dorë mbi të, ta lëronte e as ta vadiste:

“Nuk është romaticizëm, është zbulesa e Zotit; e ne kemi përgjegjësinë ta kuptojmë e ta përvetësojmë me fund. Enciklika “Lëvduar qofsh”, që propozon ekologjinë e gjithanshme, e përmban edhe këtë mesazh: bukuria e tokës dhe dinjiteti i punës u bënë për t’u shkrirë në një, për të shkuar krah për krah. Duhet të shkojnë bashkë, pra: toka bëhet e bukur, kur e bën të bukur vetë njeriu”.

Punë, që e prish habitatin

Por  puna, që shkëputet nga besëlidhja e Zotit me burrin e gruan e bëhet peng i logjikës, që vlerëson vetëm fitimin dhe përbuz ndjenjat e jetës njerëzore, e poshtëron shpirtin, pohoi Papa, e ndot gjithçka: jeta qytetare prishet e habitati rrënohet. E, zakonisht, haraçin e paguajnë më të varfërit, familjet më të vobekta.

“I ashtuquajturi ‘qytet inteligjent’ është pa dyshim shumë i pasur me shërbime e organizm: por, për shembull, është shpesh armik i fëmijëve e i pleqve. Nganjëherë kush projekton, interesohet vetëm për drejtimin e krahut të punës, për grumbullimin e përdorimin ose flakjen tutje të tij, sipas leverdisë ekonomike. E këtë e vërteton vetë jeta në familje. Kur organizmi i punës e mban peng, ose arrin deri atje, sa ta pengojë të ecë, atëherë duhet të jemi të sigurt se shoqëria njerëzore ka nisur të punojë kundër vetvetes!”.

Nuk punon, nuk ha

Pasi kishte kujtuar, më parë, fjalët e Shën Palit për “përshpirtërinë e rreme” të atyre që, në  frymën e fesë, mendojnë se angazhimi me punë dhe jeta e shpirtit i kundërvihen njëri-tjetrës, Françesku përfundoi duke i nxitur familjet e krishtera t’i shfrytëzojnë me fe e mënçuri rrethanat aktuale, duke e mbrojtur punën që, theksoi, e bën të butë tokën e të banueshme botën, paravarësisht se të duket sikur duhet luftuar si Davidi kundër Golisë.

“Por e dimë, vërejti me ironi të hollë, si  po katandiset kjo sfidë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.