2015-08-18 11:58:00

Papa inkurajon vepra mëshire për të sëmurët


Jubileu i jashtëzakonshëm i Mëshirës do të jetë “rast i mirë për ta përforcuar bashkëpunimin ndërmjet barinjve dhe laikëve në misionin e përkujdesjes plot dashuri e të asistencës me dhembshuri të të sëmurëve, edhe të atyre rëndë”. Ky është urimi, që shpreh Papa Françesku në një mesazh dërguar kryetarit të Shërbimit Meshtarak të Urgjencës, Manuel Martìn Sjöberg. Ky shërbim lindi në vitin 1952 në qytetin argjentinas të Kordovës, me qëllim që t’u siguronte besimtarëve sakramentet edhe në orare, kur vështirë se e gjen meshtarin. Duke e inkurajuar “këtë vepër mëshire të krishterë, e cila, që prej 60 vjetësh, kryhet nga vullnetarët e Federatës së Shërbimeve Meshtarake të Urgjencës e të Natës”, Ati i Shenjtë përmend bulën jubilare “Misericordiae vultus”, për të kujtuar se është e nevojshme t’u afrohemi nevojtarëve, që ta ndjejnë ngrohtësinë e pranisë, të miqësisë e të vëllazërimit tonë. Do të gjykohemi, përfundon Papa Françesku, pikërisht për veprat e mëshirës trupore e shpirtërore, pasi e dimë se në secilin prej këtyre “më të vegjëlve” është i pranishëm vetë Krishti. 








All the contents on this site are copyrighted ©.