2015-08-18 15:32:00

OKB-ja miraton një plan për paqen në Siri


Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një plan të ri për paqen në Sirinë e martirizuar nga konflikti civil, në të cilin është përfshirë edhe i ashtuquajturi Shtet Islamik (Isis). Është një program 16 pikësh, që shkon drejt tranzicionit politik. Gjithçka do të nisë në shtator, me formimin e katër grupeve të punës, që do të merren me sigurinë, luftën kundër terrorizmit dhe rindërtimin. Folëm për këtë me pedagogun e Studimeve Islamike në Universitetin e Trentit, Massimo Campanini:

         Së pari, është e nevojshme që fraksionet të jenë të gatshme të kapërcejnë çdo lloj rivaliteti të brendshëm për të formuar një front të përbashkët. Së dyti, vendimet duhet të jenë pragmatike, pra, duhen lënë mënjanë ideologjitë e duhet parë realiteti ashtu siç është. Duhet folur konkretisht e pa premisa të llojit “presidenti Assad duhet të largohet pa tjetër” apo gjëra të kësaj natyre.

         Cili do të ishte roli i presidentit Assad në të ardhmen e Sirisë?

         Është e qartë se pushteti i Assadit duhet ridimensionuar. Megjithatë, unë mendoj se një rol formal e jo thelbësor duhet t’ia lëmë në një farë mënyre. Sigurisht Assadi ishte diktator, por si ai, ashtu edhe i ati, në fund të fundit, kanë qenë elementë stabilizues në panoramën e Lindjes së Mesme. Prandaj, nëse i gjejmë një rol formal – për shembull, president republike në një Siri të reformuar, me një qeveri të bashkimit kombëtar – ai mund të shërbejë si garanci, pasi Assadi nuk zhduket me një të rënë të lapsit.

         Plani i OKB-së merr parasysh fenomenin e Shtetit Islamik, por e konsideron atë në mënyrë të përgjithshme…

         Shteti Islamik mbetet vërtet më shumë se një objekt i panjohur: është objekt problematik. Nga vjen, kush e armatos e çfarë do? Këto janë tri pyetje, që nuk kanë gjetur akoma përgjigje. Pra, nëse Isis është vërtet i rrezikshëm e, nëse duhet ta kemi frikë, qëndrimi i butë ndaj tij mund të mos ketë asnjë lloj efekti.








All the contents on this site are copyrighted ©.