2015-08-18 12:30:00

Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore: “E papritur për udhëheqësit sovjetikë”.


Emisioni IV i rubrikës sonë “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi Studimin, botuar në Civiltà Cattolica-3921, 2 novembre 2013; Quindicinale: Anno 164, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, titullohet “E papritur për udhëheqësit sovjetikë”.

Udhëheqësit sovjetikë e pritën me habi të madhe zgjedhjen e një pape polak. Disa nisën ta shikojnë si një lloj komplloti imperialist, koordinuar nga polakët amerikanë, kurdisur kundër Moskës dhe perandorisë së saj. Qeveritë komuniste evropiane, të cilat prej dhjetra vitesh kontrollonin jetën e Kishave kombëtare dhe ishin të mirinformuara për çështjet vatikanase, nuk kishin arritur as ta parashikonin sadopak se do të zgjidhej një papë i ardhur nga Viset e Lindjes. Ata, duke pasur mirë parasysh traditën, e shikonin papatin si “çështje krejtësisht italiane”, e nuk u kujtuan se, duke nisur nga Koncili II i Vatikanit, Kisha katolike kishte ndryshuar  e Kolegji Kardinalor ishte ndërkombëtarizuar. Një gabim i tillë, sipas historianit italian Andrea Riccardi1, “duhet parë edhe si pasojë e kulturës politike,  krejt e paaftë për të pranuar forcën e jashtëzakonshme përtëritëse të fenomenit fetar. Prej këndej, i atribuonte fesë shumë-shumë rolin e përsëritjes të së kaluarës, ose atë reaksionar”.

Kjo zgjedhje, ndonëse thjesht si lajm e, madje i shoqëruar me komente negative, e kapërceu perden e papërshkueshme të hekurt, duke u kujtuar shumë katolikëve lidhjet (formalisht të këputura prej kohe), që i bashkonin me Romën e duke i bërë të vetëdijshëm se i përkisnin një bote e një historie shumë më të madhe, se ajo në të cilën po jetonin. U ngjalli, kështu, shpresat e mekura, gjë që pati pasoja të menjëhershme mbi jetën shpirtërore, e edhe mbi atë politike e shoqërore.  E kjo ndodhi jo vetëm në atdheun e Papës, por edhe në vende të tjera, ku  prania katolike ndjehej ende fort në shoqëri. Kështu në Hungari, Çekosllovaki, Ukrainë, Bjellorusi e vende të tjera. U ndje pak a shumë edhe në Shqipëri, përmes ekraneve gjysëm të nxira, si vetë jeta, ndonëse katolikët, të diskriminuar e të përjashtuar plotësisht nga radhët e shoqërisë, kishin mbetur si grigjë pa bari, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale.

Siç duket, në shumicën e vendeve, që iu nënshtruan ndikimit sovjetik, qeveritë në pushtet kishin bërë çmos të krijonin Kisha kombëtare, të ndara nga Roma e të kontrolluara imtësisht nga regjimet. Por ndërmjet të gjitha vendeve satelite, vetëm Shqipëria u shpall zyrtarisht shtet ateist. Ndërsa ndërmjet të gjitha Kishave të Lindjes, vetëm ajo polake kishte mundur ta ruajë një farë autonomie nga qeveria komuniste. Ishte pasojë rrënjosjes së thellë të fesë katolike në shpirtin e popullit polak e edhe e politikës së urtë e largpamëse kishtare të kardinalit primat Stefan Wyszynsky. Në vitet pesëdhjetë, gjatë papnisë së Piut XII, ndërsa në shumicën e vendeve të kontrolluara nga Moska, Kisha ishte e persekutuar, sepse e konsideruar kundërshtare, madje armike e shtetit socialist, e priftërinjtë dhe ipeshkvinjtë ishin në pranga, në Poloni Kisha vijonte të jetonte; madje qeveria, që i trembej fort ndikimit të saj mbi popullin, detyrohej t’i diskutonte me të kufizimet dhe kushtet e të ashtuquajturës “liri e kultit”.

Në vitet ’60, në rrethana botërore e kulturore të ndryshme, Selia e Shenjtë , e bindur se komunizmi do të rronte gjatë, u përpoq të niste “bisedime të matura e të urta” me disa nga vendet komuniste, si për shembull, me Hungarinë e Çekosllovakinë, me synimin që të hynte në lidhje me atë, që prej kohe quhej “Kisha e heshtimit”; Kisha që vuan, ose Kisha nëndheshme, e katakombeve, si në kohët e persekutimeve të lashtësisë. Mendohej se kështu mund të ndihmohej Kisha martire, e masakruar e përtej gardhit të hekurt, duke i siguruar sadopak frymëmarrje të lirë, ose duke u marrë vesh me qeveritë për të liruar ndonjë prej ipeshkvinjve nga burgu. Në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera, Selia e Shenjtë nuk ishte më në gjendje të lironte asnjë ipeshkëv: e gjithë hjerarkia, me përjashtim të ipeshkvit plak Bernardin Shllaku, që vdiq pas nënshkrimit të Statutit, ishte asgjësuar. Kjo veprimtari nisi aty nga  vitet e fundit të Papnisë së Gjonit XXIII e vijoi, me ndonjë farë paqartësie, edhe nën papninë e Palit VI.

Të dialogoje me komunistët, pati thënë autori  i të ashquajturës “Ostpolitik vatikanase” kardinali i ardhshëm Agostino Casaroli, ishte “martirizim i durimit”, por edhe përpjekje e nevojshme, nëse synohej ndonjë arritje konkrete, gjë që nganjëherë edhe realizohej.

1 A. Riccardi, Giovanni Paolo II. La biografia, Cinisello Balsamo(Mi), San Paolo, 2011, 313.








All the contents on this site are copyrighted ©.