2015-08-17 17:00:00

Tianjin, emocion në Kinë, pas lutjes së Papës


Në Kinë, pas shpërthimeve tragjike në Tianjin, që deri tani kanë shkaktuar vdekjen e 114 personave dhe humbjen e dhjetra të tjerëve si dhe një alarm të fortë për përhapjen e cianurit të sodiumit, u prit me emocion të thellë lutja e Engjëllit të Tënzot e Françeskut në solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell. TV-ja e vendit u ndal gjatë tek fjalët e Papës kushtuar ngjarjes, duke theksuar dhimbjen dhe solidaritetin e Atit të Shenjtë. Fakt, ky, absolutisht i pazakontë, komenton atë SergioTicozzi, misionar i Pime-s:

Përgjigje: - Natyrisht është diçka pozitive, një hap para. Deri më sot, gjithçka kishte të bënte me Vatikanin e me Papën nuk kishte vend në televizionin kinez. Nëse kësaj radhe iu gjet vendi, kjo është shenjë, që tregon se Kina është e interesuar për marrëdhëniet me Vatikanin, e interesuar për ta paraqitur Papën Françesku, posaçërisht qëndrimin e tij plot përdëllim, plot mëshirë, për njerëzit, që po vuajnë. E kjo është vërtet pozitive.

Pyetje: - Si është tani situata në Tianjin?

Përgjigje: - E rëndë,  sepse vdiqën 100 vetë. E këtyre vdekjeve u shtohet edhe ndotja atmosferike. Po për këtë po bëhen përpjekje të kujtohet sa më pak. Kujtohet a s’kujtohet, atmofera është plot me substanca kimike, që e dëmtojnë shëndetin e njerëzve: rreziku është në ajër.

Pyetje: - Popullsia ankohet për mungesën e informacionit në nivel lokal…

Përgjigje: - Po, bëhen përpjekje të shuhen të gjitha zërat, që japin njoftime për faktin konkret. Thuhen gjërat në përgjithësi, flitet për faktin, por jo   për të gjitha pasojat, që mund të ketë e që i shqetësojnë njerëzit. Kërkojnë, pra, t’i lënë të kalojnë lajmet më pak tragjike. Kjo ndodh në Kinë. Por tani me komunikimin përmes internetit, përmes e-mail-it, telefonëve celularë e kështu me radhë, nuk mund t’i fshehësh më gjërat. Njerëzit e marrin vesh të thënën e të pathënën.

Pyetje: - Flitet për materiale të rrezikshme për t’u përdorur, e ndoshta masat e sigurisë nuk janë në lartësinë e duhur…

Përgjigje: - Po, përsa i përket sigurisë, Kina është ende mbrapa. Kujtoj sesi 20 vjet më parë, kur isha në Kinë, drejtoja një shkollë teknikësh. Duke u sjellë nëpër fabrika, teknikët italianë flisnin me punëtorët pikërisht për sigurinë e prodhimeve kimike. Italianët u flisnin për sigurinë në punë,  i porosisnin t’i trajtonin me kujdes të madh prodhimet kimike,  të mos i përhapnin në ajër. E kinezët përgjigjeshin: “Me këto punë merret Perëndimi, jo ne”. Nuk kaloi shumë, e nisën ta kuptonin këtë realitet, por jo edhe të merrnin masat e duhura të sigurisë, posaçërisht përsa u takon lëndëve kimike, që kanë nevojë për trajtim të posaçëm.

Pyetje: - Kur ndodhin tragjedi, si kjo e Tianjinit, bashkësia ndërkombëtare, në përgjithësi, është e pranishme për shkëmbimin e njohurive në nivel ndërkombëtar. A ndodh kjo në Tianjin?

Përgjigje: - Në këtë këndvështrim Kina po i hap portat; po i jep mirëseardhjen specialistëve nga jashtë, nga vise të tjera.  Pa harruar se duan ta drejtojnë vetë gjithçka. E gjithë veprimtaria është në dorë të tyre. Ka shkuar atje një grup ushtarakësh për këtë qëllim.

Pyetje: - A i kuptojnë njerëzit problematikat ambientale?

Përgjigje: - Po, po. Dalngadalë. Fitojnë vetëdijen se këtu vihet në lojë shëndeti i tyre e i fëmijëve të tyre… E kështu edhe për gjëra të tjera, si për shembull, për prodhimet ushqimore, për cilësinë e të cilave nuk tregohet kujdesi i duhur. Fëmijët, pasi pinë qumështin e hanë gjellët e përgatitura, sëmuren. Prej këndej, pak nga pak, njerëzit po kujtohen se duhet t’i kushtojnë kujdes cilësisë së prodhimeve e se duhet të mbrohen nga lëndët e dëmshme, të cilat kërkojnë trajtim të veçantë.  








All the contents on this site are copyrighted ©.