2015-08-17 15:24:00

Rubrika Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore: “Zgjedhja e Papës polak”.


Emisioni i sotëm i rubrikës sonë “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi studimi, botuar në Civiltà Cattolica-3921, 2 novembre 2013; Quindicinale: Anno 164, fryt i pendës së historianit jezuit atë Gjon Sale, titullohet “Zgjedhja e Papës polak”.

Në këtë emision, ashtu si në studimin mbi të cilin mbështetet, do të trajtohet vetëm një aspekt i papnisë së Gjon Palit II, sipas perspektivës historike e kritike. Bazohet mbi studimet më të reja kushtuar kësaj teme delikate, me synim që të ndriçohet një nga çastet e ndërlikuara të shërbesës së tij papnore: qëndrimi i papës sllav ndaj sistemit komunist, të cilin e ai njihte tepër mirë, sepse i qe kundërvënë me forcë  për shumë vjet, duke nisur nga koha kur ishte student, për të vijuar si prift i ri e si ipeshkëv i njërës nga dioqezat më të rëndësishme të Polonisë (Krakovit). Duhet të kujtojmë se vetë zgjedhja e një pape polak, domethënë e një Kryebariu që vinte nga Lindja e Evropës, prej vitesh nën sundimin e regjimeve komuniste, të kontrolluara nga Moska, ku liria fetare nuk respektohej, në këndvështrimin fetar e politik ishte një fakt krejt i ri. Prej këndej, nuk mund të mos kishte pasoja të rëndësishme për stabilitetin e një regjimi (atij komunist), që në ato çaste të krijonte bindjen se ishte prej graniti, kompakt, i pathyeshëm e, prej këndej, i destinuar të jetonte shumë gjatë.

Kardinali i Krakovit, Karol Wojtyla, u zgjodh papë më 16 tetor 1978, pas votimit të tetë të 111 kardinajve, mbledhur në Konklavin, që zgjati vetëm tri ditë e në të cilin, për herë të parë, shumica nuk ishte evropiane: 56 me 55. Giulio Andreotti, gjithnjë i mirinformuar për ngjarjet vatikanase,  lidhur me këtë ngjarje, shkroi: “Vërtetimi i pamundësisë së unifikimit të miratimeve çoi, gjatë pushimit, në bindjen se kishte ardhur çasti për një zgjedhje të ndryshme. E zgjedhja qe mrekullisht e shpejtë. Kryeipeshkvi i Krakovit, për një fletë të vetme, nuk arriti ta marrë edhe votën e njëqindtë”.1 

Mendimi për të zgjedhur një Papë jo italian – duke kujtuar se në votimet e para kardinajtë më të votuar kishin qenë montiniani Giovanni Benelli dhe kryeipeshkvi luftarak i Gjenovës, Giuseppe Siri, duket se u poq me këshillën e kardinalit austriak Franz König për t’u miratuar menjëherë nga kardinajtë gjermanë e amerikanë, ndërmjet të cilëve, edhe kardinali Krol i Filadefias, me origjinë polake.

Papnia e Gjon Palit II u hap me një program guximtar, frymëzuar nga rrezatimi misionar universal i kumtimit të Ungjillit. Në homelinë e famshme të 22 tetorit 1978, mbajtur gjatë kremtimit solemn të fillimit të shërbesës papnore, ipeshkvi polak, që kishte zgjedhur emnin papnor Gjon Pali II, tha me zë të qartë e të vendosur: “Hapjani, madje në dy kanatat, portat Krishtit!”. Kjo thirrje përshkoi gjithë papninë e tij e vijon të jehojë në shtigjet e botës!

 

1 G. Andreotti, A ogni morte di papa, Rizzoli, 1980, 176.








All the contents on this site are copyrighted ©.