2015-08-17 14:18:00

Paraqitja e Katalogut Lin Delija


Lin Delija, piktori që mbeti gjatë pa zë, nis e i flet artdashësve. Pas disa veprimtarive, në nder të punës së tij të jashtëzakonshme, shkapërhapur nëpër botë, nga Italia, në Amerikë, Kanada, Shqipëri... më 7 gushtin e kaluar, në Antrodoko, qytezë ku jetoi, krijoi, vdiq e pushon në paqe, u mbajt  një takim për paraqitjen e Katalogut, me titull: “Lin Delija: Piktor i nëntëqindës. Nga vendi i shqiponjave, fluturim drejt lirisë”. Domethënës, vendi ku u mbajt. U zgjodh enkas kuvendi i Shën Kjarës, për piktorin françeskan shqiptar. Katalogun e paraqiti profesor Vittorio Sgarbi, historian arti i mirënjohur në Itali e jashtë saj.

I pranishëm, edhe i ngarkuari me punë i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, zoti Visar Zhiti e shumë dashamirë të pikturës në përgjithësi, e të Linit, në veçanti. Miq të kohëve të zisë së bukës e të mohimit... Në faqet e tyre të internetit u dukën menjëherë shprehjet e emocionit të thellë, që zgjoi ky takim për një të vdekur - të gjallë. Ai la pas me qindra e qindra piktura të cilat, me ngjyrat e tyre tipike delijane, i flasin botës për Piktorin - Poet, që e shkriu një jetë të tërë, shumë të ngjashme me atë të Vincent van Gogh, për artin e vet,  lidhur aq ngusht me vendlindjen, sa t’i vishte gjithë shenjtorët, e deri vetë djallin, me kostume kombëtare shqiptare.

“Tungjatëjeta Lin – lexojmë shkrimet e miqve në faqet e internetit - Je gjithnjë në mendimet tona e në zemrën tonë!”.

Shpresojmë që Albumin e ri të Linit ta kenë në dorë sa më shumë njerëz, për ta ndjerë fort se ai mbeti i gjallë, e gjithnjë shqiptar (e shkodran) në pikturat e tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.