2015-08-17 15:14:00

Don Artime: 200-vjetori i Don Boskos, hov i ri për thirrjen tonë


“Thirrja saleziane është dhuratë, që Zoti ia bëri Kishës e botës, përmes Don Boskos”. Këtë theksoi, në përfundim të kremtimeve saleziane, don Ángel Fernández Artime, me rastin e kremtimit përfundimtar të 200-vjetorit të lindjes së Shën Gjon Boskos. Ishte vit jubilar, “vit hiri”- shton don Artime - i jetuar me ndjenja të thella mirënjohjeje ndaj Zotit, në stilin e thjeshtë, karakteristik për salezianët. E intervistuam:

Përgjigje: - Vendosëm të mos bëjmë festa, por të krijojmë vetëm çaste të thella, për ta ndjerë përkatësinë në familjen saleziane: çaste bashkimi me të rinjtë; e sidomos, me të rinjtë e varfër. Unë isha i pranishëm, gjatë këtij viti, në gjirin e 32 kombeve. Pak a shumë ky ishte programi ynë, sfida jonë për këtë vit.

Pyetje: - Sipas traditës saleziane, viti përfundoi me një takim të madh të të rinjve, për të cilin ne folëm në programin e së dielës, duke kujtuar praninë e të rinjve shqiptarë. Mijëra të rinj të lëvizjes rinore saleziane shkelën këto ditë  mbi gjurmët e Don Boskos, në viset ku jetoi, punoi, themeloi salezianët. Ç’mund të na tregoni për këto ditë të fundit të takimit?

Përgjigje: - Si familje saleziane, nuk mund ta kuptonim kremtimin e 200-vjetorit të Don Boskos, pa të rinjtë. S’ka salezianë, pa ta. E përfunduam, prandaj, me një takim, në të cilin ishin të pranishëm 5.500 të rinj, nga 58 kombe. Duke nisur nga “A-ja” – Albania, që ishte e pranishme, e edhe duke përfunduar me A-në, Australinë, e vetmja, që mungonte në takimin  e madh rinor. E bukur, prania e Afrikës; tejet e bukur edhe ajo e Indisë, e, pa dyshim, e Evropës. Ditë emocionesh të thella. Ditë lutjesh, reflektimi. Ditë, që na mrekulluan për përgjigjen e të rinjve. Nuk pamë asnjë fytyrë të trishtuar, asnjë sy të përlotur. Ishte mënyra më e bukur për t’i mbyllur kremtimet e këtij dyqindvjetori.

Pyetje:  - Besojmë se nuk është vetëm një përfundim, por edhe një fillim….

Përgjigje: - Sigurisht, ne më 16 gusht përfunduam udhën e një viti. Për të filluar një të ri. Ndodhemi përballë një sfide të re, të madhe: besojmë se mund t’u ofrojmë shumë gjëra të bukura të rinjve të botës, në emër të Don Boskos. Në këtë kuptim, nisim një vit të ri, kushtuar përsëri  themeluesit tonë e udhës së tij, që na çon gjithnjë në gjirin e të rinjve.








All the contents on this site are copyrighted ©.