2015-08-16 11:43:00

Të Ngjiturit e Zojës në Qiell, në penelin e Tiziano-s


Dje kremtuam solemnitetin e kulmit të verës, kur Zoja u ngjit në qiell. E sot vijojmë të flasim për kryeveprat e pikturës që i janë kushtuar, duke e përfunduar meditimin tonë triditësh, me një kulm arti:  Zojën e Tiziano-s

Të Ngjiturit e Zojës në Qiell është një kompozim i pikturuar me bojë vaji mbi pëlhurë, me përmasa 394x222cm, realizuar nga piktori i famshëm i shkollës veneciane, në vitin 1535. Ruhet në katedralen e Veronës, ku stolis një nga kapelat anësore.

Vepra ndodhet në navatën e majtë të katedrales, fare pranë portës së hyrjes, në kapelën Cartolari-Nichesola, kushtuar pikërisht Zojës së Ngjitur në Qiell. Më 1532, kur nisi restaurimi i kapelës, Jacopo Sansovino, skulptor e arkitekt i njohur italian, projektoi enkas një elter polikrom, mbi të cilin u vendos piktura.

Përshkrimi

Në plan të parë janë apostujt, mbledhur rreth arkivolit të zbrazët të Marisë. Të mrekulluar nga zhdukja e trupit, shikojnë në të katër anët, në kërkim të saj. Janë veshur me rroba ngjyrash të gjalla e njëri prej tyre shtrëngon në dorë rripin, që Nëna e Zotit ua la si kujtim. Aluzion, ky, për devocionin e Zojës së Rripit, që u përhap në vitet ‘500. Tek shqiptarët, shoka e Zojës.  Kështu apostujt, ndërsa Maria është lart, mbi re, në një qiell, që ndrit gjithnjë më shumë, derisa e rrethon si me aureolë drite fytyrën e Virgjërës, e cila shikon poshtë. Përdorimi i një game të gjerë ngjyrash të gjalla, krijon  ndjesi lumturie e atmosferë sa solemne, aq edhe dramatike.

Stili

Në këtë pikturë vërehet menjëherë se gjuha pikturike e Tiziano-s ndryshon krejtësisht nga ajo, që përdor për të pikturuar Zojën e Frarit, një kompozim tjetër i piktorit venecian, porositur më 1516 nga françeskanët e kuvendit të Frarit, për elterin e madh të kishës së tyre. Piktori këtu vë në jetë kërkesat e Kundëreformës, sipas së cilës piktura duhet të paraqiste skena më të thjeshta, më të kuptueshme e më  të hijshme.

Kompozimi i parë

Në kompozimin e parë dallohet mirë arkivoli i zbrazur i Marisë, ka më pak figura njerëzore,  njerëzorja e hyjnorja shkëputen njëra nga tjetra, gjë që theksohet nga përdorimi i ngjyrave të ndryshme. Kështu ndodh ndërmjet Marisë e Apostujve, që shikojnë mosbesueshëm arkivolin bosh, në sa Ajo tashmë është ngjitur me korp e me shpirt në Lumninë e Qiellit, prej nga ndërmjetëson për njerëzit, atje poshtë. Prej këndej, nuk i ka sytë të ngulur lart, por poshtë. Ndërsa Zoja e Frarit është kompozuar me sy e krahë lartuar drejt qiellit. Gjithsesi, të dyja Zojat, kryevepra të padiskutueshme të artistit, janë vepra aq inovative, sa t’i linin pa frymë bashkëkohorët. Prej këndej, kur u ekspozuan, e lartuan piktorin tridhjetëvjeçar në Olimpin e mjeshtrave të mëdhej të Rilindjes. Zoja e lartuar në qiell, e lartoi edhe Mjeshtrin që e pikturoi, duke na e lënë dogmën, të mishëruar në dy kryevepra.  Ngadhënjim i dyfishtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.