2015-08-16 16:47:00

Shenjtëroje ditën e diel e ditën e festës së urdhëruar!


Të dukej sikur shfletoje Biblën, duke dëgjuar fjalët e Françeskut në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar.

Shenjtëroje ditën e diel e ditën e festës së urdhëruar!

Këtë urdhërim të Tënzot u kujtoi Papa besimtarëve, të cilët i porositi të mos e shpërdorojnë, duke e  ngarkuar me gjithfarë punësh, ditën e dielë e të festës së urdhëruar, dhuratë e çmuar, që i bëri Zoti familjes njerëzore.

Shenjtëroje!

Festën e shpiku Zoti. Edhe ai vetë pushoi të shtatën ditë, për të kundruar bukurinë, që sapo e kishte krijuar. Por epokës së konsumit,  më shumë se të kundrojë, i pëlqen të fitojë para, e kështu pushimi festiv bëhet hapësirë boshe, për t’u mbushur, mundësisht, me sende, që nuk janë fryt i dashurisë pa interes, por i interesit pa dashuri.  

Shenjtëroje ditën e shtatë!

Krijuesi e bekoi ditën e shtatë, duke na mësuar, kështu, se i duhet kushtuar një farë kohe edhe kundrimit, bashkëpunimit njerëzor në veprën krijuese të Hyjit.

Festa nuk është përtaci, nuk është shkrehje e gjymtyrëve mbi një poltronë, nuk është dalldi, që buron prej arratisjes nga e përditshmja... Jo! Festa është, sidomos, një vështrim plot dashuri e mirënjohje mbi punën e bërë mirë. Është kohë për të ledhatuar fëmijët e nipërit, që hedhin shtat.  Kohë për t’u kënaqur në shtëpinë tonë; me miqtë, që i ftojmë; bashkësinë, që na rrethon.

Shenjtëroje, prandaj, edhe kur ke dhimbje!

Festa mund të bjerë edhe në një çast të dhimbshëm. Por edhe në këtë çast  duhet t’i lutemi Zotit të mos na lërë kurrë pa praninë e Tij, që është festë. Pa harruar se koha e vërtetë e festës është shkëputje nga puna profesionale, kohë e shenjtë. Na kujton se u krijuam sipas shëmbëlltyrës së Zotit, i cili nuk është skllav i punës, por Zotëri i saj. 

Shenjtëroje  kohën e prehjes!

Koha e prehjes, posaçërisht ajo e së dielës, u caktua për ne, për t’u kënaqur me atë, që nuk prodhohet, nuk konsumohet, nuk blihet, as nuk shitet. T’i kundërvihemi, prandaj ideologjisë së fitimit e të konsumit, që bën çmos të na e hajë edhe festën! Ta kthejë edhe atë në tregti, në ditë, kur fitohen para.  Thua se u krijuam vetëm për të fituar e për të shpenzuar. T’i kundërvihemi  konsumizmit, që dëmton punën e vërtetë e bren jetën.

 Shenjtëroje ditën e diel e ditën e festës së urdhëruar!

E mos harro: koha e festës  është e shenjtë, sepse Zoti banon në të, në mënyrë të posaçme po të jetohet Eukaristia e së dielës, që e mbush festën me hirin e Jezusit. Atëherë familja e puna, gëzimi e mundi i përditshëm, e edhe vuajtja e deri vdekja, shndërrohen në gëzim nga vetë Krishti:

 Shenjtëroje!








All the contents on this site are copyrighted ©.