2015-08-16 16:38:00

Papa për Festën e Zojës së Madhe e grimca nga Kisha në botë


Dje, Kisha Katolike kremtoi festën e Zojës së Madhe, apo të Ngjiturit e Zojës në Qiell, të cilën sot e festojnë Kishat e ritit lindor. 

Vërtet, ato e quajnë festa e Fjetjes së Hyjlindëses. Papa Françesku, i cili po e kalon gushtin në Vatikan, e kremtoi Engjëllin e Tënzot nga Sheshi i Shën Pjetrit, por që të mërkurën, gjatë audiencës së përgjithshme, e përmendi këtë të kremte para 8 mijë besimtarëve, të mbledhur në Sallën Pali VI. U tha të gjithëve që festa e Zojës:

“…të jetë rast për ta nderuar shën Marinë e për t’i kërkuar të ndërhyjë për ndjetet e ndryshme, që secili ka në zemrën e vet”.

 

Bie sot 10-vjetori i vdekjes së themeluesit të Bashkësisë ekumenike të Taizé-së, frère Roger Schutz. Kujtojmë se ai u vra nga një grua me të meta mendore, më 16 gusht 2005, gjatë lutjes së mbrëmjes. Me këtë rast, e gjithë bashkësia e Taizé-së dhe të rinjtë që mblidhen atje gjatë verës, përfshirë të rinjtë shqiptarë, u lutën në kujtim të tij, së bashku me përfaqësuesit e Kishave e të feve të tjera.

 

Në SHBA-të, nisën dje e do të vazhdojnë deri më 7 tetor, pesëdhjetë ditët e lutjes për martesën e familjen. Nisma është organizuar nga Apostullati i Rruzares për Ungjillëzim, me në krye, këshilltarin e vet shpirtëror, kryeipeshkvin e Miluokit, imzot Zherom Listecki. Synohet sensibilizimi i besimtarëve për temat kryesore të Takimit Botëror të Familjeve, që do të mbahet në Filadelfia nga 22 deri më 27 shtator, në praninë e Papës, por edhe për çështjet që do të shqyrtohen në Sinodin për Familjen, i cili do të mbahet në Vatikan nga 4 deri më 25 tetor.

 

Ndërkaq, që më 14 gusht, në Irlandë ka filluar nëntëshja e përvitshme e lutjes, kushtuar Virgjërës së Knock, Mbretëreshë e Irlandës. Tema qendrore e këtij viti është “Feja dhe familja”, edhe këtu, në përgatitje të Sinodit të ipeshkvijve për Familjen.

 

Franca mendon për të krishterët e Lindjes së Mesme. Në pesë dioqeza, dje, në orën 12.00, këmbanat e kishave katolike ranë njëherësh për të shprehur solidaritetin me të krishterët, që në Irak, Siri e në zona të tjera, nën kontrollin e të ashtuquajturit Shtet Islamik, po vuajnë persekutimin e martirizimin. Gjithashtu, besimtarët e çdo qyteti u mblodhën për një lutje të heshtur në tremen e çdo kishe, për këto viktima të persekutimit në emër të fesë.








All the contents on this site are copyrighted ©.