2015-08-15 14:07:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: jeta nuk është për të bredhur pa kuptim


Në Solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, Papa Françesku, gjatë   Engjëllit të Tënzot u lut që Nëna e Zotit t’i sjellë drejt nesh sytë e saj të mëshirshëm, të na ndriçojë rrugën, të na tregojë cakun, të na dëftojë Jezusin.  Një diell i zbehtë, pas një mëngjesi të ngarkuar me re, vetëtima, bubullima e shi të rrëmbyer, e shoqëroi lutjen e sotme të Engjëllit të Tënzot, e para, pas 61 vjetësh historie, kremtuar më 15 gusht nga një papë në Sheshin e Shën Pjetrit. Mendimi i Atit të Shenjtë shkoi, në mënyrë të veçantë, tek popullsia e qytetit kinez Tianjin, ku disa shpërthime në zonën industriale shkaktuan, këto ditë, viktima të shumta e dëme të mëdha.

Feja, tha Françesku, është arsyeja kryesore e madhështisë së Marisë, e lumnisë së saj. Feja është zemra e gjithë historisë së Marisë:

“Ajo e di - e edhe e thotë - se mbi historinë rëndon barra e dhunës së prepotentëve, e fodullëkut të të pasurve, arrogancës së krenarëve. E, megjithatë, Maria beson e u kujton të gjithëve se Zoti nuk i lë kurrë vetëm bijtë e Tij, të përvuajturit, të varfërit, por u vjen në ndihmë me mëshirë e kujdes, duke i rrokullisur poshtë të mëdhenjtë prej së larti,  duke i humbur  krenarët në intrigat e zemrës së tyre”.

Mëshira e Zotit është motori i Historisë. Punët e mëdha, që bëri i Gjithëpushtetshmi në Nënën e Zotit – shtoi Papa - nuk i përkasin vetëm Marisë. Na prekin thellësisht edhe ne, na flasin gjatë shtegtimit tonë mbi dhe, na kujtojmë cakun, që na pret, shtëpinë e Atit:

“Jeta jonë, parë në dritën e Marisë së Ngjitur në Qiell, nuk është bredhje pa kuptim, por shtegtim i cili, pavarësisht nga paqartësitë e vuajtjet, e ka një cak të sigurt: shtëpinë e Atit tonë, që na pret me dashuri”.

Shenja e ngushëllimit dhe e shpresës, që Zoti e bën të shndrisë për popullin e vet, e ka një fytyrë, e ka një emër:

“Fytyrën e ndritshme të Nënës së Zotit, emrin e bekuar të Marisë hirplote, emrin e Zojës së Lume, sepse besoi në fjalën e Zotit. Besimtare e madhe! Si gjymtyrë të Kishës, jemi të paracaktuar ta gëzojmë lumninë e Nënës, sepse, falë Zotit, edhe ne besojmë në  flijimin e Krishtit mbi kryq e, përmes Pagëzimit, përfshihemi në këtë mister shëlbimi”.

Para lutjes së Engjëllit të Tënzot, mendimi i Papës Françesku shkoi tek popullsia e qytetit Tianjin, në veri të Kinës, ku disa shpërthime në zonën industriale, shkaktuan vdekjen dhe plagosjen e një mori njerëzish:

“Siguroj lutjen time për ata, që humbën jetën e për gjithë njerëzit e vënë në provë nga kjo fatkeqësi: Zoti i ngushëlloftë; e i ndihmoftë edhe ata, që po angazhohen për lehtësimin e vuajtjeve të tyre”.

Papa përshëndeti, në përfundim, romakët dhe shtegtarët e mbledhur në  Sheshin e Shën Pjetrit, ardhur nga vende të ndryshme, duke ia besuar fatet e tyre kujdesit të Marisë, që gjithnjë - theksoi - na shoqëron në udhën tonë.








All the contents on this site are copyrighted ©.