2015-08-15 17:01:00

Katedralet e Evropës, fanarë feje që nga Mesjeta


Një nga katedralet më të mëdha të Francës, ajo e Strasburgut, kremton sivjet 1000 vjetorin e historisë së saj. Në festën e sotme përkujtimore, mori pjesë edhe kardinali Paul Poupard, kryetar nderi i Këshillit Papnor të Kulturës, i dërguar i posaçëm i Atit të Shenjtë. Katedralet evropiane vijojnë ta mahnisin njerëzimin, të jenë fanarë, që ndriçojnë shpirtrat e evropianëve  e u drejtojnë një mori pyetjesh zemrave të tyre, kur sodisin mrekullitë e artit, përmes të cilit nis e flet vetë misteri.

Katedralet përbëjnë edhe zemrën e shumë qyteteve, duke lartuar drejt qiellit kumbonaret me kryqet në majë. Flasin me gjuhën jashtëzakonisht të pasur të gurit, të ngyrave, të stileve, nga romaniku, tek gotiku e baroku. Janë vepra të mëdha arkitektonike, që formuan identitetin shpirtëror e kulturor të qytetërimit evropian, rrënjët e të cilit nisin thellë në Mesjetë. Simbol i dialogut ndërmjet Zotit e njeriut, janë edhe një ndër simbolet e bashkësisë së krishterë në histori. Pasuri arti e feje. Të admiruara nga turistët e qytetarët. Në shumë raste oaza shpirtërore, për një çast ndalese e prehjeje, larg zhurmës shurdhuese të qyteteve. Vende urate. Kisha, që ruajnë përbrenda lidhjen me emrin e tyre: katedrën, a vendin ku rri ipeshkvi, simbol i përgjegjësisë së atij që, si pasardhës i Apostujve, është i thirrur për misionin e predikimit të Ungjillit të gjitha krijesave. Katedralet, me mrekullitë e tyre të artit, shprehin tensionin shpirtëror universal. Për ta na flet historiani i Mesjetës, Franco Cardini:

Përgjigje: - Katedralja ka gjithnjë ndërtim simbolik: numri i navatave, i shtyllave, lidhjet ndërmjet tyre, drejtimi…. E gjithë kjo të kujton topografinë kishtare e arkitekturën kishtare, që e ka zanafillën e vet në kohë të lashta, në Librin e Mbretërve, atje ku përshkruhet sesi Salomoni themeloi Tempullin e Jeruzalemit. Ka pra, kuptim simbolik, që na kujton Jeruzalemin, na kujton Biblën. E ka edhe një kuptim tjetër simbolik, që na kujton  Perëndimin, traditën romake perandorake të bazilikës. E së fundi duhet kujtuar edhe niveli funksional, i lidhur me hierarkinë kishtare. Këto tre nivele bashkëjetojnë e shërbejnë për të përkufizuar funksionalisht atë të tërë, që ne e quajmë pikërisht “katedrale”.

Pyetje: - Ndërmjet një mori katedralesh mahnitëse evropiane, cilat janë më  të njohurat në këndvështrimin e historisë së Kishës?

Përgjigje: - Mund të jenë katedralet, ku u mbajtën Koncilet. Për shembull,  Katedralja e Trentit. Pastaj, natyrisht, janë katedralet, që kanë funksion kishtar të posaçëm: katedralja e Chartres, për shembull, që ishte seli e kultit marian, e njohur gjatë gjithë Mesjetës; katedralja e Santiagos, që së bashku me kishat e  tjera romake, me Shën Gjonin e Lateranit, Shën Pjetrin, Shna Krygjën në Jeruzalem e me Kishën e Ngjalljes, edhe kjo, në Jeruzalem, janë qendra  kishtare të shtegtimeve të mëdha, që vijuan paprerë në gjithë jetën mesjetare, e jo vetëm. Vijnë, pastaj, kishat e rëndësishme, që mund të mos jenë mariane. Për shembull, katedralja e Trevirit, ku nderohet manteli shenjt i Krishtit;  katedralja e Torinos, pastaj, vend ku vijon të ruhet edhe sot e kësaj dite Sindona. E edhe katedralja e Këlnit, ku, që më 1164, ruhen reliket e Mbretërve Dijetarë. E kjo katedrale na kujton edhe një mrekulli: kur i tërë qyteti u bë rrafsh me tokë nën goditjen e bombave anglo-amerikane, njerëzit panë, të mahnitur, në mes të detit të rrënojave, katedralen, të paprekur, me këmbanaret e saj drejtuar kah qielli, si për të falënderuar Zotin… Që asokohe kjo katedrale u bë simbol për kombin gjerman. Simbol i qëndresës, që i dha shtytje rindërtimit të qytetit e të zemrave të rrënuara nga lufta, duke ua kthyer guximin e besimin në vetvete. Prej këndej, në këtë kuptim, e pa  dashur t’i harroj katedralet e tjera, duke nisur nga ato italiane: Santa Maria del Fiore, në Firence; Shën Marku, në Venedik; pastaj Shën Maria e Parisit, etj etj, katedralja e Këlnit besoj se mund të merret si simbol, në se dëshiron të bësh ndonjë diskutim për katedralet në përgjithësi. Simbol kishtar, e edhe teologjik, në lidhje me popullin, domethënë me vlerën qytetare të vetë katedrales.








All the contents on this site are copyrighted ©.