2015-08-14 14:44:00

Toka Shenjte: peticion i ri katolik kundër murit izraelit në Kremizan


Shoqëria Saint Yves, Qendër Katolike për të drejtat e njeriut, i paraqiti Gjykatës së Lartë izraelite një peticion, me të cilin kërkon që Ministria e Mbrojtjes ta bëjë të njohur projektin për murin e ndarjes ndërmjet Izraelit dhe Palestinës, në Luginën e Kremizanit, në Beit Zhala. Lajmin e jep Patriarkati latin i Jeruzalemit.

Gjykata e Lartë jep lejen për ndërtimin e murit

         Më 6 korrik, Gjykata e Lartë autorizoi ndërtimin e murit, në kundërshtim me vendimin e marrë në fillim të prillit, në favor të pronarëve të krishterë të Luginës. Atëherë, muri u konsiderua i dëmshëm për popullsinë vendase e për manastiret e zonës e iu kërkua Ministrisë së Mbrojtjes të ndryshojë projektin, duke e zhvendosur murin. Ndërsa, më 6 korrik, e njëjta Gjykatë e kufizoi vendimin e mëparshëm, të cilin e la në fuqi vetëm për dy bashkësitë saleziane dhe tokën e tyre, ku ngrihen një kuvend murgjërish i shekullit XIX dhe një shkollë fillore, e administruar nga murgeshat.

Rrezik për 58 familje palestineze

         Pra, ushtria duhet të fillojë ndërtimin e murit të ndarjes, duke kursyer dy bashkësitë rregulltare, por duke ndërhyrë në tokat, që u përkasin 58 familjeve të Beit Zhalas, të cilat do t’u kalojnë territorit izraelit. Për këtë arsye, shoqata Saint Yves i ka kërkuar Ministrisë së Mbrojtes të njoftojë më parë nga do të kalojë muri e vetëm më pas, të fillojë ndërtimin.








All the contents on this site are copyrighted ©.