2015-08-14 18:04:00

Jubileu i Mëshirës: regjistrim on-line për të kapërcyer Portën Shenjte


Për të kapërcyer Portën Shenjte të Bazilikës së Shën Pjetrit gjatë Jubileut të Mëshirës, i cili do të nisë më 8 dhjetor, do të jetë i nevojshëm regjistrimi on-line. Pasi të specifikohet dita dhe ora në një seksion të veçantë të faqes kushtuar Jubileut të Mëshirës – www.im.va – secili do të marrë një akreditim falas. Pse është zgjedhur kjo mënyrë? Të dëgjojmë zv.kryetarin e Veprës Romake të Shtegtimeve (ORP), imzot Liberio Andreatta:

         Arsyeja e parë është se shtegtarët duhet ta përjetojnë kapërcimin e Portës Shenjte me qetësi, me fe e lutje. Arsyeja e dytë është shmangia e fluksit të çorganizuar të shtegtarëve dhe dhënia e mundësisë për kryerjen e kontrolleve të sigurisë gjatë kalimit, të cilat kështu bëhen pa probleme e pa pengesa.

E si do të jetë procedura e regjistrimit?

         Këshilli Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri e ka parë të arsyeshme, duke pasur parasysh përvojën e fituar gjatë ekspozimit të Sindonës në Torino, që shtegtarët të regjistrohen on-line. Në faqen e internetit www.im.va duhet të shkojë në seksionin “regjistrimi i shtegtarëve” e të vendosin datën dhe orën e shtegtimit. Ne si Vepër Romake e Shtegtimeve do të hapim një sërë zyrash në aeroporte e në stacionet hekurudhore, në qendrën e Romës, në sheshin Piu XII në fund të rrugës së Pajtimit dhe në Kështjellën e shën Engjëllit. Do të japim çdo lloj informacioni. Nuk duhet të jetë një kalim “mekanik”, gati “fetiçist”, gjatë të cilit kalohet Porta dhe merret indulgjenca… Papa Françesku i fton të gjithë të praktikojnë vepra të mëshirës trupore e shpirtërore për të bërë kthesë, për ta ndryshuar jetën në mënyrë të jashtëzakonshme e vendimtare.

Kur mund të fillojë regjistrimi?

         Këtë do ta thotë publikisht e sa më shpejt që të jetë e mundur, Këshilli Papnor për Ungjillëzimin e Ri.








All the contents on this site are copyrighted ©.