2015-08-13 12:35:00

Të Ngjiturit e Zojës në Qiell: dogma


Kujtojmë se të shtunën e ardhshme do të kremtohet solemniteti i Të Ngjiturit të Zojës në Qiell, dogmë katolike. Përmes saj pohohet se Maria, si kreu shtegtimin mbi këtë tokë, u mbart nga engjëjt në Parajsë, me korp e shpirt: pra u ngjit, u pranua në qiell.

Të Ngjiturit e Zojës në qiell, ndër katolikë, është përshpejtim i ringjalljes së korpit. Na kujton ringjalljen e gjithë njerëzve në fundin e kohëve, në Gjyqin  universal.

Të krishterët ortodoksë e armenë kremtojnë Dremitjen, Fjetjen apo Përgjumjen e Marisë: sipas tyre, Maria u ngjit në qiell pas vdekjes. As Fjetja, as Të Ngjiturit në Qiell të Marisë, tek ortodoksët dhe armenët, nuk janë dogma. Ndryshimi kryesor ndërmjet Fjetjes e të Ngjiturit në Qiell është se të ngjiturit nuk e nënkupton doemos vdekjen, por pa e përjashtuar.

As Të Ngjiturit në Qiell e as Fjetja, nuk bëjnë pjesë në doktrinën anglikane. Megjithatë Komisioni Ndërkombëtar katoliko-anglikan, në një dokument të vitit 2005, arriti në përfundim se të Ngjiturit e Zojës në Qiell është në pajtim me Shkrimin Shenjt.

Kishat protestante e ungjillore nuk besojnë në Të Ngjiturit e Marisë në Qiell sepse, sipas tyre, kjo ngjitje nuk ceket fare në Bibël.

Në emisionin e ardhshëm, “Të Ngjiturit e Zojës në Qiell, sipas traditës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.