2015-08-13 16:48:00

Imzot Auza: zëri i Papës Françesku, gjithnjë e më i dëgjuar në OKB


Pas mëse një muaji, Papa Françesku do të shkojë për vizitë në Kombet e Bashkuara në Nju Jork. Ngjarja merr rëndësi më të madhe, pas ndikimit që vijon të ketë Enciklika “Lëvduar qofsh” në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare. Të dëgjojmë vëzhguesin e përhershëm të Selisë së Shenjtë në OKB, imzot Bernardito Auza:

        Dua të them menjëherë se jam shumë i kënaqur nga reagimet pozitive ndaj Enciklikës. Të gjithë flisnin për të para publikimit e vijojnë të flasin edhe tani. Siç thoshte diplomati i një vendi të madh gjatë bisedimeve për zhvillimin e qëndrueshëm: “Jemi këtu duke biseduar, edhe ashpërsisht, e kemi harxhuar kaq kohë për dokumentin e zhvillimit të qëndrueshëm e, megjithatë, duket se u intereson vetëm pak vetëve, ndërsa gati të gjithë dinë diçka për Enciklikën!”. Shumë delegacione në këto bisedime ndërqeveritare për “Agjendën post 2015” e kanë cituar gjerësisht enciklikën.

         Papa kërkon një zhvillim ekonomik, që të marrë parasysh të varfërit dhe mbrojtjen e ambientit. Ndokush, edhe e ka kritikuar për këtë…

         Në kuadrin e punës sime në OKB, më duket se të gjithë po e kuptojnë gjithnjë e më shumë rëndësinë e një ekonomie të gjithanshme, ashtu siç thotë Papa. Duhet të largohemi nga makthi i zhvillimit të bazuar vetëm në Prodhimin e Brendshëm Brut: ky nuk është zhvillim i qëndrueshëm. OKB-ja dëshiron të vendosë në Agjendën e zhvillimit deri në vitin 2030 pikërisht një ekonomi më të vëmendshme ndaj të varfërve dhe ndaj ekologjisë. Mezi pritet vizita e Papës Françesku në OKB. Kemi mijëra kërkesa për bileta, që nuk mund t’i plotësojmë. Kam folur me zyrën e protokollit për të parë si mund t’i përgjigjemi dëshirës së njerëzve për ta parë Atin e Shenjtë, edhe nga larg.








All the contents on this site are copyrighted ©.