2015-08-12 11:37:00

Përpjekje për të reformuar atë, që dukej e pareformueshme


 Në përgatitje për rubrikën e re, titulluar “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi shkrimin e historianit jezuit italian, atë Giovanni Sale, botuar në “La Civiltà Cattolica”- 3931 - 5 prill 2014, Viti 165, vijojmë pjesën IV të sintezës së ditëve të sprasme të shekullit XX, sot titulluar: “Përpjekje për të reformuar atë, që dukej e pareformueshme”.

Gorbaçovi nis të vërë në jetë tri pistat: perestrojkën (ristrukturim ekonomik); glasnost  (transparencë  në kulturë, dhe “mendimin e ri”.  Në fillim askush nuk e beson, posaçërisht pas katastrofës së Çernobilit, në prill të vitit 1986. Madje drejtuesit e të dyja kampeve nisin të pyesin nëse ky burrë shteti përpiqej vërtet të reformonte të pareformueshmen?! Kur jep njoftimin për fundin e doktrinës së famshme të “sovranitetit  të kufizuar”, perëndimorët  e shikojnë me skepticizëm. Nuk mund ta besojnë aq lehtë. Thua të jetë vërtetë i sinqertë Gorbaçovi, kur predikon përfundimin e luftës së ftohtë,  për t’i  realizuar kështu më mirë reformat e tij ekonomike?

Në Lindje moria e liderëve, nga Honecker (Gjermani lindore), Çaushesku (Rumani) Zhivkov (Bullgari), Hoxha (Shqipëri) e shikojnë shtrembër kreun e ri të Kremlinit: e dinë mirë se reformat, që ka nisur t’i realizojë, e ligështojnë perandorinë, duke i vënë  udhëheqësit e tjerë në pozita vërtet të vështira. Të gjithë lëkunden, por nuk guxojnë të dalin haptazi kundër. Veç Shqipërisë socialiste që, pasi “qe tradhtuar nga të gjithë”, do të dëshironte të vihej në krye të të të gjithëve, po të mundej. Vetëm udhëheqësit polakë e hungarezë  ishin gati të ecnin përkrah Gorbaçovit. Posaçërisht gjenerali polak Jaruzelski, që pati rastin të bisedojë gjatë për Gorbaçovin me Gjon Palin II, gjatë një audience në Romë, në janar 1987. Papa, i cili në këto çaste po përgatiste shtegtimin e tij të tretë në Poloni, besonte se më në fund rrugët do të hapeshin. Në qershor 1988 në Rusi kremtohet madhërisht njëmijë vjetori i Kishës ruse. Posaçërisht në Moskë. Papa e shikon çdo lëvizje të botës lindore me entuziazëm e optimizëm: në se perestrojka i hap rrugën tolerancës fetare, atëherë duhet luajtur karta e perestrojkës!

E ndërsa pozita e Gorbaçovit në Rusi ndërlikohet për shkak të gjendjes tejet të rëndë ekonomiko-shoqërore, jashtë vendit bëhet gjithnjë më e qartë. Në shkurt 1989, trupat sovjetike tërqihen nga Afganistani, gjë që ndikon mbi qëndrimin e amerikanëve, të cilët  pushtohen nga “gorbymania”, që tashmë mbretëron mbi gjithë mendimin perëndimor. Ndonjë javë më pas, drejtuesit hungarezë i hapin rrugën pluralizmit partiak në vendin e tyre,  pa  frikën e rrufeve, që mund të niseshin në drejtim të tyre nga Kremlini. Sipas një tradite gati shekullore.








All the contents on this site are copyrighted ©.