Rëndësia ekumenike, përveç asaj ekologjike, e Ditës së lutjes për Gjithësinë, shpallur nga Papa Françesku dhe ndikimi i Enciklikës “Lëvduar qofsh” mbi politikat ambientale të qeverive, janë temat kryesore të intervistës, dhënë Radio Vatikanit nga kardinali Peter Turkson. Kryetari i Këshillit Papnor “Drejtësi e Paqe” e nis reflektimin pikërisht me Ditën për krijimin, që do të kremtohet më 1 shtatorin e ardhshëm:
Përgjigje: - Ky njoftim është shumë, shumë domethënës. Siç shihet edhe në Enciklikë, ndjehet fort dëshira për t’i dhënë pamje ekumenike. Ideja për kremtimin e Ditës kushtuar Gjithësisë, në shtator, siç bën zakonisht Kisha ortodokse, simbolizon diçka tejet të rëndësishme: një përkim idesh ndërmjet këtyre dy Kishave. Natyrisht Ati i Shenjtë mund të zgjidhte edhe ndonjë datë tjetër. Zgjedhja e së njëjtës datë me Kishën ortodokse, është shumë domethënëse. Në vend që të shtohet numri i kremtimeve, bëhen përpjekje për të përkuar në këto, që ekzistojnë. Mund të mendohet edhe se ishte Papa Françesku, në nxitjen e tij pas sinodale Evangelii Gaudium, që tha se realiteti është më i fuqishëm se idetë. E kjo gjen këtu shprehjen e vet. Enciklika propozon një mori idesh, por zgjedhja e një date të përbashkët për kremtimin, të duket se i konkretizon të gjitha propozimet e bëra në Enciklikë. Prej këndej, mund të themi se nuk janë thjesht ide, që paraqiten, por ide, që synohet të bëhen konkrete, duke u vënë në jetë.
Pyetje: - Në letrën drejtuar Ju e kardinalit Koch, përmes së cilës jepet njoftimi për Ditën e mbrojtjes së gjithësisë, Papa Françesku kërkon, siç bëri edhe në “Lëvduar qofsh”, kthesën ekologjike të besimtarëve…
Përgjigje: - Ka një përmasë vazhdimësie në mendimet, që shpreh Encilika. Vazhdimësia, në këtë rast, ka të bëjë me idetë e çuara përpara në papnitë e tjera. Për shembull, ideja e kthesës ekologjike u paraqit për herë të parë nga Gjon Pali II. Kthesa ekologjike na nxit të pranojmë faktin se të gjithë ne duhet të ndërrojmë rrugë e të kontribuojmë, në forma të ndryshme, për mbrojtjen e botës. Mund të duket e vështirë, por jo e pamundur. Dëshirën tonë mund ta shprehim duke marrë angazhime të vogla e duke ndihmuar pak nga pak për mbrojtjen e Krijimit.
Pyetje: - Enciklika “Lëvduar qofsh” po ndiqet me vëmendje të madhe në nivel botëror. Sipas jush, a do ta dëgjojnë Papën liderët politikë botërorë?
Përgjigje: - Kanë nisur t’ia venë mirë veshin Papës. E unë vetë jam dëshmitar i kësaj vëmendjeje. Më 29 qershor isha në New York, në krye të delegacionit të Selisë së Shenjtë për një diskutim lidhur me temën e ndryshimeve klimaterike: ndonëse enciklika e Papës nuk e trajton kryesisht këtë temë, por atë të ekologjisë së gjithanshme, diskutuesit, njëri pas tjetrit, citonin vazhdimisht ato pjesë të saj, ku trajtohet çështja e ndryshimeve klimaterike. E kjo tregon sa ndikim të fortë ka pasur enciklika mbi qeveritë dhe krerët e organizatave botërore.
All the contents on this site are copyrighted ©. |