2015-08-12 14:03:00

Kardinali Parolin në Indonezi, “vend unik për tolerancën”


Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, ndodhet në Indonezi, ku është takuar me autoritetet për t’u ballafaquar mbi temat e bashkëjetesës fetare, bashkëpunimit kulturor dhe edukimit. Më 15 gusht do të shkojë në Timorin Lindor për të kremtuar 500-vjetorin e ungjillëzimit të vendit.

         “Vatikani e konsideron Indonezinë si shembull të mirë e model për paqen, bashkëjetesën paqësore dhe tolerancën ndërmjet grupeve me fe të ndryshme” i tha kardinali ministres së jashtme vendase, të cilën e takoi dje në Xhakartë. Megjithëse nuk mungojnë tensionet ndërmjet myslimanëve e të krishterëve, sipas kardinalit Parolin, gjëja më e rëndësishme është gjetja e mënyrës për t’i respektuar e për t’i pranuar ndryshimet, pa dhunë dhe pa agresivitet. Ky koncept shprehet sërish në komunikatën e përbashkët, dhënë për shtyp, pas takimit.

         Vatikani ka qenë shteti i parë, që njohu pavarësinë e Indonezisë, më 17 gusht 1945. Vizita e kardinalit Parolin në Xhakartë është e para e një Sekretari të Shtetit, që nga viti 1950, fillimi i marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe vendit islamik më të populluar të botës. Marrëdhëniet e mira janë përforcuar nga një sërë vizitash papnore, e fundit prej të cilave, ajo e shën Gjon Palit II, në vitin 1989.

         Fusha e ardhshme e bashkëpunimit do të jetë arsimi. Parashikohet binjakëzimi ndërmjet Universitetit Papnor Urbanian dhe Universitetit Islamik të Xhakartës. Një projekt tjetër përfshin edhe Radio Vatikanin, e cila, së bashku me Radion e Republikës së Indonezisë, do të mbulojë, në emision të drejtpërdrejtë, kremtimet e Pashkëve 2016, që do të mbahen në ishullin Flores.








All the contents on this site are copyrighted ©.