2015-08-11 16:45:00

Siri: frikë për të krishterët e zonave të Isis


Rritet shqetësimi për të krishterët e Sirisë pas të enjtes së kaluar, kur i ashtuquajturi Shteti Islamik pushtoi qytetin e Qaryatayn, pranë Homsit, dhe mori peng 230 vetë. “Të krishterët e zonës kanë frikë e gjithnjë e më shumë besimtarë mendojnë të largohen nga shtëpitë e tyre e madje, edhe nga vendi”, tregon për organizatën “Ndihmë për Kishën që vuan” atë Jihad Youssef, murg i bashkësisë Deir Mar Musa, themeluar nga atë Paolo Dall’Oglio, i rrëmbyer para dy vjetësh.

         “Nuk e dimë nëse Isis ka ndërmend t’i vrasë pengjet e krishtera. Normalisht, vëllezërve tanë në fe, fundamentalistët u ofrojnë tri mundësi: të paguajnë “jizya” (taksën për jo myslimanët), të kthehen në fenë islame, ose të ikin. Është e qartë se kësaj here, opcioni i tretë nuk u është ofruar të krishterëve, përndryshe atë do të kishin zgjedhur”, vazhdon atë Youssef. Sipas vlerësimeve të rregulltarit, në Qaryatayn kishin mbetur rreth 160 të krishterë, një pjesë prej të cilëve mbajtur peng: “30 nga të krishterët e sekuestruar arritën të ikin, sepse janë barinj dhe e njohin mirë zonën”, shpjegon murgu. “Tani ndodhen në Homs, ku ipeshkvijtë siro-katolikë dhe siro-ortodoksë po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për pengjet e tjera”. Bashkësia Deir Mar Musa ka një manastir në Qaryatayn, ku më 21 maj u mor peng edhe atë Jacques Mourad, së bashku me diakonin Boutros Hanna Dekermenjian.








All the contents on this site are copyrighted ©.