2015-08-11 12:44:00

Një minut me Nënë Terezën: “Bëju nëna ime tani”


Minuti i fundit i emisionit tonë, me Nënë Terezën, të Lumen shqiptare të Bamirësisë. Kjo javë kurorëzohet me festën e Zojës së Madhe e Nënë Tereza ishte shumë e devotshme e Nënës së Krishtit. Ja ç’tregon ajo vetë:

         “Mbajeni Zojën afër, shumë afër…

         Dy njerëz të shkretë erdhën një ditë në shtëpinë tonë e na thanë: ‘Jemi martuar që prej 16 vjetësh e nuk kemi fëmijë. Dëshirojmë kaq shumë një fëmijë. A do të lutesh për ne? A do të bësh diçka?’. E unë u dhashë një medalje të mrekullueshme, pavarësisht se të dy ishin hinduistë, e u thashë: ‘Përsërisni shpesh gjatë ditës: ‘O shën Mari, Nëna e Jezusit, na jep një fëmijë’”.

         E ata kështu bënë: u lutën e u lutën, Zoti e di sa herë në ditë. Dy-tre muaj më vonë, burri u kthye tek ne e më tha: “Nëna Terezë, gruaja ime pret një fëmijë”.

        E sheh? Duhet të kemi besim të thellë në Zojën. Ajo është Nëna e Jezusit: është Nëna jonë. E nuk do të lejojë kurrë që familjes t’i ndodhë ndonjë e keqe, sepse ajo i do njerëzit me të njëjtën ëmbëlsi, që i do edhe Biri i saj. Kërkojini gjithnjë të jetë nëna juaj.

         Mua më ka ndihmuar shumë kjo lutje e shkurtër, që ia them Zojës, kur kam ndonjë nevojë më urgjente:’O shën Mari, Nëna e Jezusit, bëju nëna ime tani!”

(Bazuar mbi "Madre Teresa - meditazioni per ogni giorno dell'anno liturgico", botuar me kujdesimin e Dorothy S. Hunt nga RCS Libri, 2003 (edicioni Tascabili Bompiani))








All the contents on this site are copyrighted ©.