2015-08-11 17:15:00

Greqia arrin marrëveshjen me kreditorët ndërkombëtarë


Greqia dhe kreditorët ndërkombëtarë arritën sot marrëveshjen për një plan të ri shpëtimi, që do t’i lejojë Athinës të mos falimentojë e të mbetet në Eurozonë. Parashikohen hua për mëse 80 miliard euro në këmbim të një pakete me masa të jashtëzakonshme ekonomike e me reforma. Për ministrin grek të financave, Tsakalotos, mungojnë akoma disa detaje, ndërsa Bashkimi Evropian bën të ditur se marrëveshja është “teknike” e akoma jo “politike”.

         Plani i tretë për shpëtimin e Greqisë mbërrin pas 18 orë bisedimesh. Janë 35, masat kryesore që qeveria e Athinës duhet të marrë për të hyrë në një cikël, i cili tani për tani, mbetet vicioz, pasi paratë e dhëna hua shërbejnë fillimisht për të paguar borxhin e vendit, pra, kthehen andej nga kanë ardhur, në bankat evropiane. Skadenca më e afërt është ajo e 20 gushtit, kur Greqia duhet t’i paguajë Bankës Tregtare Evropiane 3,5 miliard euro.

         Cilat janë masat? Do të ndryshojë sistemi fiskal, me heqjen e lehtësimeve fiskale për ishujt duke filluar nga fundi i vitit 2016. E njëjta gjë për karburantet, që përdoren në bujqësi. Gradualisht, do të hiqen të ashtuquajturat “pensione baby” e mosha minimale për të dalë në pension do të rritet në 67 vjeç. Do të reformohet administrata publike e do të forcohen kontrollet kundër evazionit fiskal. Me propozimin e OSBE-së, do të zbatohet një program privatizimesh e rikapitalizimesh të bankave, ndërsa tregu i energjisë do të liberalizohet krejtësisht brenda viti 2018. Përsa i përket bilancit, Greqia do të mund të mbajë një deficit fillestar – pra pas pagimit të interesave të borxhit – prej 0,25% në vitin 2015, shifër që do të rritet nga viti në vit, derisa të arrijë në 3,5% në vitin 2018. Marrëveshja duhet nënshkruar tani nga Eurogrupi.








All the contents on this site are copyrighted ©.