2015-08-10 13:23:00

Papa Françesku themelon Ditën Botërore të Lutjes për mbrojtjen e Gjithësisë


Papa Françesku themeloi sot Ditën Botërore të Lutjes për mbrojtjen e Gjithësisë, e cila do të kremtohet çdo vit, më 1 shtator. Ati i Shenjtë ia komunikoi këtë vendim, me anë të një letre, kryetarit të Këshillit Papnor për Drejtësinë e Paqen, kardinalit Peter Turkson, si edhe atij të dikasterit për Bashkimin e të Krishterëve, kardinalit Kurt Koch. Kjo Ditë ka karakter ekumenik, pasi është e njëjtë me atë, që kremton Kisha Ortodokse.

Dita, fryt i Enciklikës “Lëvduar qofsh”

            Vërtet, letra hapet, duke përmenduar kontributin e Patriarkut ortodoks Bartolomeu dhe të Mitropolitit Ioannis në Encikilikën “Lëvduar qofsh” të Papës Françesku, që i kushtohet ekologjisë njerëzore. Në një farë kuptimi, mund të thuhet se kjo Ditë është rrjedhojë e natyrshme e kësaj Enciklike.

Të krishterët janë të thirrur për kthesë ekologjike

            Papa Françesku flet për pasion në mbrojtjen e Gjithësisë, ushqyer edhe nga trashëgimia e pasur shpirtërore e krishterë. Të krishterët, nënvizon, duan “të ofrojnë kontributin e tyre në kapërcimin e krizës ekologjike, që po jeton njerëzimi”. Duke cituar Enciklikën, Ati i Shenjtë kujton se përshpirtëria nuk është e ndarë nga natyra, por jeton në bashkim me të. E ruajtja e natyrës, shkruan Papa, është pjesë e përshpirtërisë së krishterë, sepse do të thotë të mbrosh çdo gjë, që ka krijuar Zoti. Kjo nuk është diçka dytësore apo opcionale për të krishterin, por thelbësore.

T’i kërkojmë mëshirë Zotit për mëkatet kundër natyrës

            Dita, nënvizon Papa, është rast për besimtarët e bashkësitë e krishtera ta përtërijnë angazhimin e tyre në mbrojtje të Gjithësisë, ta falenderojnë Zotin për veprën e Tij të mrekullueshme, të cilën ia ka besuar njeriut dhe, sidomos, t’i kërkojnë Hyjit mëshirë për mëkatet kundër botës, në të cilën jetojmë. Kremtimi i kësaj nisme së bashku me Kishën Ortodokse, do të jetë rast i volitshëm për të dëshmuar bashkimin në rritje ndërmjet të krishterëve. “Në kohën kur të krishterët përballojnë të njëtat sfida të rëndësishme - shkruan Papa Françesku – është e nevojshme dhënia e përgjigjeve të përbashkëta për të qenë më bindës e më të besueshëm”. Ati i Shenjtë uron që në këtë nismë të përfshihen edhe Kisha të tjera të krishtera, në përkim me veprimtaritë e organizuara nga Këshilli Ekumenik i Kishave.

Kremtim në nivelin ndërkombëtar dhe ekumenik

            Papa Françesku i kërkon kardinalit Turkson ta promovojë Ditën Botërore të Lutjes për Gjithësinë jo vetëm në nivelin kishtar, por edhe ndër organizmat kombëtare e ndërkombëtare të impenjuara në fushën ekologjike. Kardinalit Koh, detyra për të kontaktuar realitete të ndryshme ekumenike, që kjo nismë të jetë shenjë e rrugës së përbashkët të gjithë të krishterëve. Letra përfundon me një lutje drejtuar Nënës së Zotit dhe  shën Françeskut të Asizit, i cili me Këngën e tij të Kreatyrëve i frymëzon njerëzit për t’i thurur lavde Zotit e për ta respektuar Krijimin e tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.