2015-08-10 15:25:00

I Lum së shpejti, imzot Flaviano Michele Melki, martir nën Perandorinë Otomane


Kisha do të ketë së shpejti një të Lum të ri: është  ipeshkvi siro-katolik Flaviano Michele Melki, i mbytur nga urrejtja për fenë njëqind vjet më parë, në Djézireh, Turqia e sotme, gjatë persekutimeve në periudhën e Perandorisë Otomane. Papa Françesku, pasi u takua  me kardinalin Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, autorizoi dikasterin të shpallë dekretin lidhur me martirizmin e tij. Shërbëtori i Zotit, imzot Flaviano, në shekull Jakob, ishte rregulltar i Vëllazërisë së Shën Efremit dhe ipeshkëv i Djézireh-ut të sirëve. I lindur në vitin 1858 në Kalaat Mara (Turqia e sotme), u mbyt më 29 gusht 1915. Për figurën e të Lumit të ardhshëm flet, në mikrofonin tonë, postulatori i Çështjes së Lumnimit, atë  Rami Al Kabalan:

Përgjigje: - Ai luajti një rol themelor në inkurajimin e njerëzve për mbrojtjen e fesë së tyre, në mes të vështirësive të mëdha të epokës, gjatë persekutimeve të Perandorisë Otomane. Jetonte në varfëri të plotë, aq sa arriti të shiste deri petkat liturgjike, për të ndihmuar të varfërit e për të luftuar kundër mjerimit. Lëvizte vazhdimisht në të gjitha famullitë, duke e kryer me zell të veçantë apostullimin. Ishte bir i një familjeje siro-jakobite e u kthye në fenë e krishterë pak para shugurimit të tij meshtarak.

Pyetje: - Diçka të veçantë për imzot Flavianon?

Përgjigje: - Kujtoj një frazë, që gjithnjë më prek në zemër. Ata donin ta kthenin me forcë në fenë islame, e ai u gjegj: “Do ta mbroj fenë time deri në derdhjen e gjakut”.

Pyetje: - Ç’na thotë ky martirizim sot?

Përgjigje: - Pas 100 vjetësh, pikërisht në njëqind vjetorin e flijimit të tij, ne, të krishterët e Lindjes, vijojmë të pësojmë pothuajse të njëjtat persekutime, edhe pse në mënyra të ndryshme…. Prandaj figura e këtij martiri na jep zemër ta mbrojmë fenë tonë e, sidomos, ta jetojmë këtë fe, në kushte që nuk mund as të përfytyrohen. Nuk duhet të kemi frikë, na e kujton martiri. Edhe në rrethanat e vështira, në të cilat jetojnë sot gjithë të krishterët e Lindjes: të Irakut e të Sirisë, posaçërisht, tragjedinë e të cilëve e sheh gjithë bota. Prej këndej mendoj se lumnimi ka shumë rëndësi kishtare: është fjalë vërtet e fortë për të krishterët, në rrethanat e sotme. U kujton të gjithëve se Martiri nuk vdes. Martiri mbetet i gjallë në Kishë, në kujtesën e besimtarëve. E na kujton, sidomos sot, se të gjithë jemi të thirrur ta jetojmë martirizimin, ndonëse në mënyra të ndryshme.

Pyetje: - Kisha siro-katolike në këtë çast po vuan shumë….

Përgjigje: - Është Kisha më e vogël e bashkuar me Pasardhësin e Pjetrit . E më e sulmuara. U sulmuam në Irak, në Mosul, ku bashkësia e krishterë nuk ekziston më; në Haleb… e tani në Al Qaryatain, dioqeza e Holmsit… jemi vërtet Kisha më e plagosur! Po pësojmë persekutime ngado që shkelim.

Pyetje: - Besoj se, me gjithë persekutimin, shpresat tuaja nuk janë shuar, sepse nuk shuhet kurrë shpresa e kujt beson në një Zot të kryqëzuar e të ngjallur…

Përgjigje: - Shpresojmë vërtet se Zoti do t’i shndrisë gjithë të pushtetshmit e kësaj bote, ata që kanë në dorë frenat, që të sigurojnë, më në fund, paqen aq të dëshiruar. E me të, edhe lirinë e besimit!








All the contents on this site are copyrighted ©.