2015-08-09 17:16:00

“Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”: Liri e kampe përqendrimi


Në përgatitje për rubrikën e re, titulluar “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi shkrimin e historianit jezuit italian, atë Giovanni Sale, botuar në “La Civiltà Cattolica”- 3931 - 5 prill 2014, Viti 165, vijojmë sintezën e ditëve të sprasme të shekullit XX, sot kushtuar temës: “Liri e kampe përqendrimi”.

Kujtuam, në emisionin e kaluar, se përhapja e perandorisë së kuqe ishte helm për sistemin komunist. Helm, që përmbante lëndë vdekjeprurëse: liritë demokratike, lirinë e qarkullimit të njerëzve e ideve, respektimin e të drejtave të njeriut, zhvillimin e shkëmbimeve tregtare, për të mos folur, pastaj, për domosdoshmërinë e çarmatimit. Marrëveshjet e Helsinkit, falë posaçërisht këmbënguljes së Francës e të Selisë së Shenjtë, i siguruan mjete diplomatike e argumente politike lëvizjeve për mbrojtjen e lirisë nga ana e një breznie të re disidentësh, që nisi përpjekjet për të ringjallur në Lindje një koncept tashmë të vdekur e të varrosur: atë të shoqërisë civile.

Së bashku me disa personalitete simbolike, si Aleksandër Solgenitsin e Andrej Sakharov, në Evropën e Lindjes nisën të mbijnë papritmas grupe të vogla që, sipas shembullit të Kartës 77 në Çekosllovaki, nisën të kërkojnë respektimin e akordeve të Helsinkit për të drejtat e lirinë. Atëherë rifilloi shtypja e egër, sidomos në BRSS. Një pjesë e krerëve kryengritës u mbyllën në gulaget, kampe të tmerrshme përqendrimi, yrnek për kampe të tilla në të gjithë shtrirjen e “perandorisë”. Të tjerë u dëbuan  në perëndim. Fat i zi, ky i mohimit të atdheut. E fat i bardhë, që shumë disidentë të vendeve satelite nuk e patën, sepse shkuan menjëherë në plumb, që gojët e tyre të mos hapeshin në perëndim, ku mund të rronin vetëm për të treguar.

Fizikani i famshëm Andrej Sakharov u arrestua në Gorki. Në Poloni don Popieluszko u mbyt nga policia politike. Sigurimi rumun e Stasi i Gjermanisë Lindore shpërthyen një sulm të paparë kundër dashuronjësve të lirisë. Në Shqipëri nisi arrestimi i kundërshtarëve më shumë fantomatikë, sepse të vërtetët ishin pushkatuar pothuajse të gjithë. Niste, kështu, beteja ndërmjet një grushti militantësh guximtarë e sistemit më të madh të shtypjes që kishte ekzistuar ndonjëherë në botë. Betejë krejt e pabarabartë.








All the contents on this site are copyrighted ©.