2015-08-09 15:05:00

Thirrje e Papës kundër dhunës në Salvador


Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa i ftoi besimtarët të luten për popullsitë e Salvadorit. Vendi Qendroamerikan, atdhe i të Lumit Oscar Romero, tronditet prej vitesh nga dhuna e “maras”, banda të rinjsh, që kontrollojnë një mori territoresh, duke u ndeshur në një luftë gjakatare me shtetin. Ja edhe fjalët e Papës:

“Ndjek me shqetësim të thellë lajmet, që arrijnë nga El Salvadori, ku kohët e fundit u krijuan vështirësi të reja për popullsinë, për shkak të zisë së bukës e të krizës ekonomike, në përgjithësi, me kontraste të mprehta  shoqërore e dhunë në rritje. Inkurajoj popullin salvadorian të vijojë udhën, i bashkuar në shpresë, e i nxis të gjithë të luten, që në tokën e të Lumit Oscar Romero të lulëzojnë përsëri drejtësia e paqja”.

Episodi i fundmë i dhunës në El Salvador, ndodhi pikërisht sot paradite, kur një polic u vra nga dy njerëz të armatosur në kufi me Hondurasin. Është polici i 40-të që vritet qysh nga janari, nga të ashtuquajturit “maras”, banda të rinjsh, të cilat këto ditë e kanë paralizuar Salvadorin, duke imponuar një grevë të mjeteve publike. Maras, 60 mijë vetë, në një vend me 6 milion banorë, kanë vrarë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, rreth 3 mijë vetë. Strategjia e “marasve” është thellimi i dhunës, që ta detyrojnë shtetin të pranojë kushtet e tyre për kontroll të hekurt mbi territorin: kryesisht mbi transportin publik e mbi zyrat publike, për t’i tmerruar njerëzit e për të treguar forcën e pushtetit të tyre.

Kujtojmë se grupe të tilla, me metoda mafioze, veprojnë edhe në SHBA, në Kaliforni; në Çikago, por edhe në Itali, posaçërisht në Lombardi.








All the contents on this site are copyrighted ©.