2015-08-09 14:26:00

Papa: akoma tmerrohemi, 70 vjet pas Hiroshimës e Nagasakit; fund armëve bërthamore


Në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa kujtoi edhe se 70 vjet më parë, më 6 e 9 gusht 1945, ndodhën bombardimet tronditëse atomike mbi Hiroshimën e Nagasakin. Kjo ngjarje tragjike, nënvizoi, që vijon të na shkaktojë tmerr, na kujton sidomos se duhet të lutemi e të angazhohemi për paqen, për të përhapur në botë etikën e vëllazërimit dhe klimën paqësore të bashkëjetesës ndërmjet popujve. T’i dëgjojmë fjalët e Papës:

“Edhe pse ka kaluar shumë kohë, ngjarja tragjike shkakton akoma tmerr e neveri. Ajo u bë simbol i forcës të pamatshme shkatrrimtare të njeriut, kur e përdor për mbrapshti progresin e shkencës e të teknikës, e edhe qortim i përheshëm për njerëzimin, të cilit i kujton se duhet të heqë dorë përgjithmonë  nga lufta, të heqë dorë nga armët bërthamore e nga çdo lloj arme të shkatërrimit në masë (…). Nga të gjitha trojet e botës të lartohet një zë i vetëm: jo, luftës, jo dhunës; po dialogut, po paqes! Me luftë njerëzimi humbet gjithnjë. E vetmja mënyrë për të fituar mbi luftën, është të mos e bësh!”.

E sot paradite në Parkun e Paqes, në Nagasaki, u mbajt një kremtim përkujtimor me rastin e 70-vjetorit të bombardimit atomik amerikan, që mbyti rreth 80 mijë vetë. Kryeministri Abe kërkoi edhe një herë një botë pa armë, por u kundërshtua për qëndrimin e qeverisë së tij, që synon ta modifikojë Kushtetutën paqësore: Dhoma e Ulët e Tokios ka miratuar tashmë dy ligje, që autorizojnë forcat e armatosura të luftojnë jashtë vendit, në mbështetje të misioneve ndërkombëtare të paqes e edhe për vetëmbrojtje.








All the contents on this site are copyrighted ©.