2015-08-09 16:37:00

Françesku radios argjetinase: lufta fitohet duke mos e bërë!


“Ka vetëm një mënyrë për të fituar mbi luftën: të mos e bësh”. Këtë theksoi Papa Françesku gjatë një bisede të drejtpërdrejtë radiofonike me një emitente argjentinase, që i përket famullisë së Zojës së Karmelit, në qytetin Campo Gallo y Huachana, në provincën e Santiago del Estero. Është hera e dytë, pas vitit të kaluar, që Papa takohet me këtë radio, me një bisedë, që u ndoq nga i gjithë vendi e nga mbarë bota, falë internetit.

“Duhet të ecim të bashkuar. Është gjithnjë më e mirë miqësia, se lufta; nuk duhet ta bëjmë!”. Françesku i drejtohet kështu bashkësisë së Campo Gallo,  e cila e dëgjon përmes radios “Es de Dios”, një emitente, që ndiqet nga besimtarët deri në skajet më të largëta të provincës. Duhet të bëjmë një përpjekje të madhe, që të kujdesemi për njëri-tjetrin, për të mos qenë familje e trishtuar. Të kujdesemi për fëmijët, për gjyshërit, me atë përzemërsi, që na e ka mësuar Jezusi, i cili na kujton gjithnjë se duhet të kujdesemi për njeri-tjetrin,  e edhe për shtëpinë e përbashkët. “Kur ecim të bashkuar, kjo na ndihmon edhe të jemi solidarë. E na fal gëzim, shton Françesku, sepse njeriu nuk është ‘kërpudhë’, nuk është bërë për të jetuar i vetëm, por në familje”.

"Yo tengo un gran deseo cuando pienso en Santiago …

Papa shpreh, pastaj, një dëshirë: lumnimin e “Nënë Antulës”, në shekull, Maria Antonia de Paz y Figueroa, një shekullare e kushtuar argjentinase, me origjinë nga Santiago del Estero, që jetoi në shekullin e 18-të e u shpall e Nderuar nga Papa Benedikti XVI, në vitin 2010: “Lutuni për lumnimin e saj – tha Papa - sepse Nënë Antula është shembull i forcës së popullit Santiaguen. I kremtoi ushtrimet shpirtërore sipas frymës injaciane. Mblodhi rreth vetes një grup vajzash, që jetonin bashkë, luteshin, jepeshin pas veprave të mëshirës e bashkëpunonin me meshtarët jezuitë. Kur jezuitët u dëbuan nga Argjentina, në vitin 1767, ‘Nënë Antula’ përshkoi mbarë trojet argjentinase, duke u kujdesur për veprat e tyre. Kishte me vete vetëm një kryq druri, simbol i përkorjes dhe i dashurisë për Krishtin. Thuhet se kur ishte vetëm 8 vjeçe, pati drejtuar ushtrimet shpirtërore për 70.000 vetë”.

"Hay que hacer un esfuerzo muy grande para aprender a cuidarnos …

Pyetjes së drejtuesve të radios lidhur me Enciklikën e tij “Lëvduar qofsh”, Papa iu përgjigj duke i ftuar të gjithë të kujdesen për njeri–tjetrin, e edhe për gjithësinë, e duke shprehur edhe keqardhjen për shpyllëzimin, me qëllim që të lirohen tokat, për t’i mbjellë me sojë:

“Kini kujdes për tokën, porositi Papa, për ujin e për gjithçka na dhuroi Zoti!”.

Në përfundim Françesku i nxiti të rinjtë të mos jenë “pensionistë” që në lule të rinisë, por t’u kushtohen të tjerëve e të ëndërrojnë punë të mëdha, e vetmja mënyrë për të gjetur gëzimin e vërtetë. “Duhet ëndërruar - i porositi - sepse kush nuk sheh ëndrra, sheh makthe”. “Zoti e bekoftë atë, që  ëndërron punë të mëdha!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.