2015-08-09 13:42:00

Engjëlli i Tënzot: për të besuar nuk mjaftojnë as mrekullitë, nëse zemra mbetet e mbyllur


Mund të jesh i pranishëm edhe në një mrekulli, por nëse zemra nuk hapet për dashurinë e Zotit, feja nuk lulëzon: këtë u tha Papa Françesku, në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, shtegtarëve të shumtë, të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit, pavarësisht nga dita e përvëluar verore.

Duke komentuar Ungjillin e së dielës, në të cilin njerëzit shkandullohen me Jezusin, që pohon se është buka e vërtetë, e zbritur nga qielli e duke shpjeguar se askush nuk mund të shkojë drejt Tij, nëse nuk e tërheq Ati, Papa Françesku reflektoi mbi “dinamikën e fesë”, e cila është marrëdhënie ndërmjet njeriut, ne të gjithëve, dhe Vetjes së Jezusit, ku rol vendimtar luan Ati e, natyrisht, edhe Shpirti Shenjt, që këtu nënkuptohet:

“Nuk mjafton ta takosh Jezusin, për të besuar në Të, nuk mjafton të lexosh Biblën, Ungjillin – kjo është e rëndësishme, por nuk mjafton – nuk mjafton as të shikosh me sytë e tu një mrekulli (…). Shumë njerëz qenë në lidhje të ngushta me Jezusin, e nuk i besuan, madje e përbuzën e edhe e dënuan”.

Kjo ndodhi, vijoi Papa, sepse zemra e tyre ishte e mbyllur për veprimin e Shpirtit të Zotit:

“Nëse ti e ke zemrën të mbyllur, feja nuk mund të hyjë. Hyji Atë tërheq gjithnjë drejt Jezusit: jemi ne ata, që duhet ta hapim ose ta mbyllim zemrën. Feja është si farë, që bie në fund të zemrës, bulon e lulëzon, kur e lëmë Atin të na tërheqë drejt Jezusit e shkojmë tek Ai me shpirtin e hapur e me zemrën e hapur, pa paragjykime; atëherë  shikojmë në fytyrën e Tij, fytyrën e Hyjit e në fjalët e Tij, dëgjojmë fjalët e Hyjit, sepse Shpirti Shenjt na bëri të hyjmë në lidhjen e  dashurisë e të jetës, që është ndërmjet Jezusit e Hyjit Atë, e atje ne marrim dhuratën, dhantinë e fesë”.

Me këtë sjellje feje – pohoi Papa – mund ta marrim vesh edhe kuptimin e fjalëve të Jezusit: “Unë jam bukë e gjallë, e zbritur nga qielli. Nëse ndokush ha nga kjo bukë, do të jetojë në amshim e buka, që unë do të jap, është korpi im për jetën e botës”(Gjn 6,51):

“Në Jezusin, në korpin e tij - domethënë në natyrën e Tij konkrete njerëzore - është e pranishme gjithë dashuria e Hyjit, Shpirti Shenjt. Kush e lë këtë dashuri ta tërheqë, shkon drejt Jezusit e shkon me fe e merr prej Tij jetë, jetën e pasosur”.

Ajo, që e jetoi këtë përvojë në mënyrë shembullore, vijoi Papa, është Virgjëra e Nazaretit, Maria: njeriu i parë, që besoi në Zotin, duke  pranuar në korpin e vet, Korpin e Jezusit. Të mësojmë prej saj, Nënës sonë, përfundoi Françesku, gëzimin e mirënjohjen për dhuratën e fesë. Një dhuratë, që nuk është private, nuk është pronë e askujt, por është dhuratë për t’u ndarë së bashku: është dhuratë “për jetën e botës”.








All the contents on this site are copyrighted ©.