2015-08-08 07:32:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 19-të “B”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 19-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Në udhën e jetës sonë, me momentet e saj vështira e me momente gëzimi, të gjithë kemi nevojë për praninë e gjallë të Krishtit. Kjo prani është e dukshme përmes lutjes e Sakramenteve, në mënyrë të veçantë të Eukaristisë.

Me shumëzimin e bukëve, Jezusi pati dhënë një shenjë të mesianitetit të tij. Në dëshiron t’i ndihmojë galileasit ta kuptojnë se për çfarë mesianiteti është fjala. Kështu, pasi pati shuar urinë e tyre duke shumëzuar bukën dhe qortuar pse ishin kthyer për ta kërkuar vetëm pse kërkonin mrekullira, Jezusi prezantohet para miqve e të huajve, me befasimin e të gjithëve, si mrekulli e vërtet: unë jam buka e ardhur nga qielli. Bashkëbiseduesve të tij të parë, një identifikim i tillë iu dukë i tepërt: edhe pse mrekullia e shumëzimit të bukëve ishte e freskët, e afërt, e megjithëse nuk mund të harronin se Jezusi ushqeu një turmë të madhe njerëzish, nuk mund të besonin që dhuruesi i papritur të ishte edhe dhuratë më e papritur.

Një gjë është të gjesh bukën, në mënyrë të mrekullueshme, për turmën e njerëzve të uritur, krejt tjetër, është të prezantohesh si ushqim hyjnor. E në Ungjillin e kësaj së diele, Jezusi na siguron se Ai është me të vërtetë “Buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim”.

Pra, Jezusi jo vetëm na ofron bukën për jetën materiale por më shumë, na jep atë bukë që na forcon shpirtërisht madje që na jep jetën e përjetshme. E na porosit, kujdesuni jo për ushqimin që prishet, po për atë që qëndron për jetën e amshuar” (Gjn 6,27). Javën e kaluar, në pjesën e ungjillit Jezusi na la me këtë fjalë, vërtetësia e së cilës është e pohuar në mënyrë paradoksale edhe nga ata persona që nuk besojnë. Albert Camus, ateist, ka shkruar: “Toka nuk i mjafton njeriut”. Roger Garaudy, edhe ai ateist, po thellësisht në krizë të besimit, arrin deri tek lutja: “Na ktheni Krishtin. Jeta e tij dhe vdekja e tij na përkasin edhe ne”.

Këto fjalë janë ofshamë ndershmërie. Në të vërtetë, në asnjë njeri nuk mund të shuhet pritja e diçkaje që tejkalon e që shkon përtej kësaj jete tokësore: Fjala e Jezusit vërtet është kaq shumë e konfirmuar nga eksperienca e njerëzimit të të gjitha kohërave, nga besimtarë e jo besimtarë.
Po si mund të gjejmë e sigurojmë ushqimin që qëndron e siguron jetën e amshuar? Jezusi pohon: “Unë jam buka e gjallë zbritur nga qielli” (Gjn 6,51). Në tjetër rast, Jezusi thotë: “Para se të ishte Abrahami, Unë Jam” (Gjn 8,58). E në darkën e mbramë, duke u lutur, Jezusi shprehet kështu: “ O Atë, bota nuk të njeh, por unë ty të njoh” (Gjn 17,25). E Filipit i përgjigjet: “Filip, kush më ka pa mua, e ka pa Atin. Më besoni: unë jam në Atin e Ati është në mua; nëse jo, së paku besojeni këtë për shkak të veprave të mia” (Gjn 14,9-10).

Kurrë, askush nuk ka folur kështu. Kurrë asnjë themelues religjionesh (fesh) nuk ka pohuar të ketë qenë Biri i Zoti. Prej mase dy mijë vjetësh, fjalët e Jezusit shkandullojnë e magjepsin: “Krishti është dashur deri në adhurim dhe duke urrejtur deri në çmenduri”, ka vërejt ndershmërisht Blaise Paskal.
Kuptimi i Fjalëve të Jezusit është i qartë. Thotë Ai: “Unë jam Biri i Zotit, unë jam Jeta e Amshuar që kërkoni, unë jam ajo që çka i mungon paqes tuaj, unë jam Dhurata që Ati ju bën, unë jam Përgjigja problemeve tuaja”. Për atë që beson në Krishtin, këto fjalë konfirmohen rregullisht në jetën e përditshme. Për atë që nuk beson, Krishti mbetët enigmë e Ungjilli dritë e pashpjegueshme. Do të them më shumë: për atë që nuk beson në Krishtin – janë fjalët e Paskalit – jeta e vdekja mbesin të padeshifrueshme”. Dalin jashtëzakonisht të vërteta fjalët e F. Werfelit, një hebreu bashkëkohor i joshur nga Krishti. Ai ka deklaruar: “Unë njoh vetëm një problem: Kush është Jezu Krishti?” Përgjigjen në këtë pyetja na ndihmon ta gjejmë Bibla.

                        Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi I 1 Mbr 19, 4-8

Profeti Elia përplaset me një qeveri të
dhunshme dhe kërcënuese dhe me ankthin dhe frikën e vet. Do të donte të braktiste gjithçka, por Hyji vetë e ngre dhe e mbështet me një ushqim që na kujton manën e shkretëtirës. Arratisja e Elisë shndërrohet në një shtegtim drejt Hyjit. Ai ashtu si Moisiu arrin në malin Oreb ku do të takojë Hyjin e besëlidhjes.

Lexim prej Librit të parë të Mbretërve

Në atë kohë, Elia vetë mori rrugën e shkretëtirës e udhëtoi një ditë rrugë. Kur mbërriti, u ul të pushojë nën një dëllinjë, i dëshiroi vetes vdekjen e tha: “S’mundem më, o Zot! Ma merr tani jetën se nuk jam më i mirë se të parët e mi!” Atëherë ra e fjeti nën hijen e dëllinjës. Por ja, e preku engjëlli dhe i tha: “Çohu e ha!” I hapi sytë, kur qe, te kryet e tij një bukë e pjekur dhe një katrovë me ujë. Elia hëngri e piu dhe përsëri ra e fjeti. Porse engjëlli i Zotit u kthye edhe të dytën herë, e preku dhe i tha: “Çohu e ha; sepse të duhet të bësh rrugë të gjatë.” Elia u çua, hëngri e piu. I forcuar me atë shujtë, udhëtoi dyzet ditë e dyzet net deri në malin e Hyjit, në Horeb. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin

Psalmi 34
Ushqimi yt, o Zot, i forcon skamnorët në udhën e tyre


Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë është lavdi i tij.
Shpirti im mburret në Zotin: le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.
Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,
le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
E kërkova Zotin e ai më dëgjoi,
edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.

Shikojeni atë e do të ndriçoheni,
fytyra juaj nuk do të turpërohet.
Ja, skamnori e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi
dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija.

Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre
që e kanë frikë dhe i shpëton.
Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti!
I lumi ai që shpreson në të!

Leximi II Ef, 4.30-5.2
Të jesh i udhëhequr nga dashuria do të thotë të jetosh dialogun e vërtetë me Atin e mëshirshëm; do të thotë t’i lejosh Hyjit të vulosë praninë e tij në botë. Të jesh i udhëhequr nga dashuria do të thotë, që nën shembullin e Krishtit, të kryesh një kalim të madh (Pashkët), pra të dalësh prej vetvetes për tu dhuruar.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, mos e trishtoni Shpirtin Shenjt të Hyjit, me të cilin Hyji ju vulosi për ditën e shpërblimit. Le të flaket larg jush çdo pikëllim, zemërim, hidhërim, britmë, sharje me çdo lloj ligësie. Përkundrazi, jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm; falni njëri-tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin. Përngjani Hyjit porsi bij të dashur dhe jetoni në dashuri, sikurse Krishti na deshi ne dhe për ne ia flijoi vetveten Hyjit porsi kusht e fli që jep erë të mirë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin

Aleluja. Aleluja.
Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit, thotë Zoti: kush ta hajë këtë bukë do të jetojë për amshim.
Aleluja.

Ungjilli Gjn 6, 41-51

Farisenjtë nynykasin kundër Jezusit, janë të shurdhër ndaj mësimit të Atit, nuk dëgjojnë Ungjillin e tij, përçmojnë Jetën që u falet atyre. Jezusi na ofrohet ne si Buka e jetës, jo vetëm nëpërmjet besimit, por edhe nëpërmjet Eukaristisë. Është e nevojshme të jemi të tërhequr prej Atit: e gjitha kjo është hir, dhe jo fryt i forcave tona.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, Judenjtë nynykatnin kundër tij pse tha: ‘Unë jam buka që zbriti prej qiellit.’ Ata thoshin: “Vallë, a nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit? Po, a nuk ia njohim babën e nënën? Si mund të thotë tani: ‘Kam zbritur prej qiellit’?” Jezusi u përgjigj: “Mos nynykatni njëri me tjetrin! Askush s’mund të vijë tek unë, po qe se Ati, që më dërgoi, nuk e tërheq. Atë unë do ta ringjall në ditën e fundit. Profetët shkruan: ‘Të gjithë do të jenë nxënës të Hyjit.’ Kushdo, pra, e dëgjon Atin dhe e përvetëson mësimin e tij, vjen tek unë. Kjo s’do të thotë se ndokush e pa Atin, përveç Atij që është te Hyji; vetëm Ai e pa Atin! Përnjëmend, përnjëmend po ju them: ai që beson, ka jetën e pasosur. Unë jam buka e jetës. Etërit tuaj hëngrën mannën në shkreti dhe vdiqën. Kjo është buka që zbret nga qielli: që, kush ta hajë atë, të mos vdesë askurrë. Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im, për jetën e botës.” Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele, programin tonë mund ta dëgjoni edhe këtu...








All the contents on this site are copyrighted ©.