2015-08-06 15:32:00

Lëvizja Eukaristike Rinore takon Papën Françesku


Nesër paradite, 1500 të rinj të Lëvizjes Eukaristike Rinore (LER) promovuar nga jezuitët, do të takohen me Papën Françesku në Sallën Pali VI, në Vatikan. Ata ndodhen në Romë për takimin e tyre botëror, që mbahet deri më 10 gusht me temën “Gëzimi im qoftë me ju”. Janë të rinj e të reja nga 38 vende, që për herë të parë mblidhen së bashku për 100-vjetorin e themelimit të degës rinore të Apostullimit të Lutjes, lindur në Lourdes me nismën e një jezuiti francez e tani, përhapur në 56 vende. Në të bëjnë pjesë fëmijë e të rinj nga 10 vjeç deri në moshën universitare. Përgjegjësi i Lëvizjes për Italinë, atë Loris Piorar, tregon, në mikrofonin tonë, si po kalojnë këto ditë në Qytetin e Amshuar:

         Të rinjtë po shëtisin nëpër Romë, të shoqëruar nga grupi “Gurë të Gjallë”, që është një realitet injacian, i cili vë në qendër ungjillëzimin përmes artit. 30 anëtarë të grupit po shoqërojnë këta të rinj nga vende të ndryshme për të ndjerë bukurinë, që ka frymëzuar Zoti Jezus në Romë, për të ndjerë gëzimin e rrugës me Jezusin. Çdo ditë kemi diçka, që lidhet me temën e gëzimit e, nesër, do të gëzojmë për takimin me popullin e Zotit. Mendojmë se populli i Zotit formohet me një pikë referimi, shkëmbi-guri-Pjetri; pra, mblidhet rreth Pasardhësit të Shën Pjetrit, që është Papa. Dita do të përfundojë me vizitën në katakombet e Shën Kalistit, ku do të shohim si jetonte bashkësia e parë e krishterë. Gjithnjë në vazhdën e popullit të Hyjit, që ndjek Zotin Jezus.

A keni përgatitur ndonjë pyetje për Papën Françesku?

         Gjashtë të rinj, në gjuhën e në kulturën e tyre, kanë menduar pyetje për të rinjtë e për disa përmasa të jetës si gëzimi, bashkësia e krishterë, takimi me Jezusin, Eukaristia, misioni e pastaj, familja e mënyra me të cilën një i ri mund të kontribuojë në familje. Të shohim ç’do të na përgjigjet Papa…








All the contents on this site are copyrighted ©.