2015-08-06 14:32:00

Francesku: bota të mos heshtë para persekutimit të të krishterëve


Kisha nuk i harron të krishterët e persekutuar në Irak dhe i kërkon bashkësisë ndërkombëtare të mos rrijë duarkryq para këtyre krimeve: kështu shkruan Papa Françesku në një letër për ipeshkvin ndihmës të Jeruzalemit të Latinëve, imzot Maroun Lahham, i cili është njëkohësisht edhe vikar patriarkal për Jordaninë. Pikërisht këto ditë përkujtohet përvjetori i parë i mbërritjes në Jordani të irakianëve të përzënë me forcë nga xhihadistët e Shtetit Islamik. Nesër shkon në vend, Sekretari i përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, imzot Nunzio Galantino, i cili do të vizitojë disa kampe refugjatësh.

         Letra e Papës Françesku u çon një fjalë shprese të gjithë atyre, që janë detyruar të braktisin shtëpinë e tokën amë. Gjithnjë, Ati i Shenjtë e ngre zërin kundër “persekutimeve mizore, çnjerëzore e të pashpjegueshme të atyre që, në shumë anë të botës e sidomos ndër të krishterët, është viktimë e fanatizmit dhe e intolerancës, shpesh para syve e në heshtjen e plotë të të gjithëve. Janë martirët e sotëm – nënvizon Papa – të poshtëruar e të diskriminuar për besnikërinë e tyre ndaj Ungjillit”. Françesku bën thirrje për solidaritet e për lutje, duke falenderuar edhe të gjitha ato bashkësi, që kanë dhënë një kontribut sado të vogël për të ndihmuar këta dëshmitarë të Krishtit.

         Papa i drejtohet edhe opinionit publik botëror, duke i kërkuar të jetë “gjithnjë e më i vëmendshëm, më i ndjeshëm e të reagojë para persekutimeve kundër të krishterëve e pakicave të tjera fetare”. Ati i Shenjtë uron që “bashkësia ndërkombëtare të mos rrijë në heshtje e duarkryq para këtij krimi të papranueshëm, që përbën dhunim shqetësues të të drejtave më themelore të njeriut dhe i pengon popujt, kulturat e fetë të bashkëjetojnë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.