2015-08-05 13:41:00

Bazilika romake e Shën Marisë së Madhe kujton e kremton ‘mrekullinë e dëborës’.


Bazilika romake e Shën Marisë së Madhe kujton e kremton ‘mrekullinë e dëborës’. Sot më 5 gusht kalendari i Kishës katolike përkujton shugurimin e Bazilikës romake të Shën Marisë së Madhe, njëra nga katër bazilikat patriarkale të Romës.

Kujtojmë se në Romë gjinden njëqind Kisha kushtuar Zojës së Bekuar, por më e madhja nga të gjitha, siç e tregon edhe vetë emri, është Bazilika e Shën Marisë së Madhe. Në fillim u quajt Bazilika Liberiane, sepse ishte Papa Liberi (352-366) ai, që e shndërroi në bazilikë të krishterë një tempull të lashtë pagan, në maje të kodrës romake të Eskulinit.

Para shekullit V Bazilika quhej “Shën Maria tek Shpella e Betlehemit”, sepse aty ruhet piktura e lindjes së Jezu Krishtit, të cilën devocioni popullor e identifikonte me vetë Shpellën e Betlehemit.

Gojëdhëna tregon se natën e 5 gushtit të vitit 358, Zoja e Bekuar iu duk njëherësh Papës Liberi e patricit romak, Gjonit dhe i ftoi t’i ndërtonin një kishë në atë vend, ku do të binte dëborë atë natë të nxehtë romake. E dëbora ra.

Të nesërmen, në prani të një turme romakësh, Papa ravijëzoi në dëborë perimetrin e asaj kishe, që do të bëhej bazilika e parë e ndërtuar në këtë vend e që u quajt Shën Maria e Dëborës.  Çdo 5 gusht në bazilikë kremtohet festa e Shën Marisë së Dëborës. E në të njëjtën ditë, edhe shugurimi i saj.

Gjatë të dy kremtimeve, sipas traditës, mbi besimtarët reshet nga lart një shi me petale të bardha trëndafilash, në kujtim të flokëve të dëborës, që ranë mrekullisht natën e largët të vitit 358. Natyrisht Bazilika aktuale, që njihet si e Shën Marisë së Madhe, është rindërtuar disa herë gjatë shekujve, përmbi themelet e lashta, shënuar së pari mbi dëborë.

Sot, në kujtimin liturgjik të Kushtimit të Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, liturgjia na fton t’i sjellim sytë nga Maria, Nëna e Krishtit.

Shikojeni gjithnjë atë, të dashur të rinj, duke u munduar t’i përngjani në ndjekjen besnike të vullnetit hyjnor; 
drejtojuni Asaj me besim, të dashur të sëmurë, për të provuar, në çastin e provës, frytin e mbrojtjes së saj; 
besojani Zojës, të dashur bashkëshortë të rinj, familjen tuaj, që të jetë gjithnjë e mbrojtur me ndërmjetësimin e saj amtar.








All the contents on this site are copyrighted ©.