2015-08-04 17:07:00

Prishtinë: shugurimi diakonal i Meriton Dedaj e Daniel Markprekaj


Kisha katolike e Kosovë në festë për shugurimin diakonal të dy seminaristëve Meriton Dedaj e Daniel Markprekaj. Nga Prishtina të ndjekim shërbimin e Rabie I brajt..

Dy të rinj nga Kosova, Meriton Dedaj, nga Famullia e Novosellës dhe Daniel Markprekaj nga ajo e Zymit, të shtunën që kaloi u shuguruar diakonë duke veshën petkun e diakonatit dhe marrë dhuratë Ungjillin Shenjtë, simbole të përmbushjes tashmë të shkallës së parë të meshtarisë, përkushtimit të misionit të tyre në shërbim të Zotit e të popullit. Meshën solemne të këtij shugurimi meshtarak, në Kishën Katedrale ‘ Nënë Tereza’ në Prishtinë, e kremtoi ipeshkvi vendit imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me imzot Zef Gashin, arqipeshkëv i Tivarit e imzot Lucjan Avgustinin,  ipeshkëv i Sapës dhe të një numri tejet të madh të meshtarëve e seminaristeve.  

Atmosferë solemne dhe tejet e veçantë e përshkoi të shtunën Katedralen ‘ Nënë Tereza’ në Prishtinë, e cila ishte mbushur me meshtarë, motra, besimtarë e vullnetmirë pothuajse nga të gjitha trevat shqiptare. Këtë moment gëzimi të të dy të rinjve, familjeve të tyre, kishës dhe popullit e përcollën edhe shumë bashkatdhetarë kosovarë të ardhur për pushime në vendlindje, për çka tashmë datën e 1 gushtit Kisha katolike e Kosovës e ka shpallur ‘Ditë e Diasporës’, një festë tradicionale kushtuar emigrantëve.

Në këtë meshë Shenjte, në këtë ditë të mërgimtarëve, tha fillimisht imzot Dodë Gjergji, na gëzon fakti se jemi mbledhur bashkë si Kishë Katolike e Kosovës dhe si diasporë. Më pas, ipeshkvi, homelinë e tij ia kushtoi momentit më të gëzuar të dy djemve të ri të Kosovës, të cilët po studiojnë dhe përgatiten për meshtarë të ardhshëm, në Seminarin e Shkodrës,  duke theksuar se, këta dy të rinj e kanë zgjedhur misionin e tyre për ti shërbyer Krishtit Zot, Kishës e popullit. Ipeshkvi i Kosovës  shpalosi edhe tiparet themelore të shërbesës diakonale, domethënien e kushtimit të tyre, për t’a arritur shenjtërisë së jetës, për të qenë misionarë të shenjtë dhe dhurues të Fjalës së Zotit, që për te ky populli ka etje e uri. Të dy diakonët iu nënshtruar me përkushtim riteve të nevojshme dhe dhanë betimin e tyre, të cilët më pas janë bekuar nga Imzot Dodë Gjergji.

Pas Meshës Shenjte, festa e së shtunës u zhvendos në Qendrën  saleziane ‘Don Bosko’ gjithnjë në Prishtinë, ku në Sallën e Sportit u dha një koncert i bukur. Në fillim, pjesëmarrësit i përshëndeti misionari don Agim Qerkini, përfaqësues i Misionit Katolik në diasporë. Ai pasi përgëzoi shugurimin e dy diakonëve të rinj, falënderoi për organizimin e ‘Ditës së Diasporës’ e theksoi se kjo ditë “na kujton se të gjithë ne jemi misionarë shtegtarë në këtë botë dhe se kudo që gjendemi duhet t’i ruajmë dhe kultivojmë vlerat tona më të mira, por edhe të përfitojmë nga kulturat e vendeve ku jetojmë”. Misioni Katolik Shqiptar  në botë, tha don Agimi, ka për qëllim që ti përcjell mërgimtarët tanë nëpër botë, për t’u shërbyer atyre në ruajtjen e fesë, gjuhës,  kulturës e identitetit kombëtar.

Të pranishmit e kësaj feste, në emër të dy diakojëve të ri, i përshëndeti diakoni Daniel Markprekaj. Ai së pari falënderojë nga zemra eprorët e tyre, të cilët, siç tha, i kanë përcjell gjatë formimit intelektual e shpirtëror, kolegët, dhe të gjithë ata që i kanë përkrahur deri në këtë moment të rëndësishëm të jetës së tyre. diakoni Daniel Markprekaj  kërkoj që edhe në të ardhmen këta të rinj ta kenë përkrahjen në lutje, kështu që t’a arrijnë caktu, shugurimin meshtarak, i cili do të jetë vitin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.