2015-08-03 17:08:00

Sheshi i Shën Pjetrit: 9000 ministrantë takohen me Papën


Nesër pasdite, pjesëmarrësit e Shtegtimit ndërkombëtar të Ministrantëve, që organizohet çdo pesë vjet, do të takohen me Papën Françesku në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Janë rreth 9 mijë vetë, me moshë ndërmjet 14 e 30 vjeç e me prejardhje nga rreth 20 vende, ndër të cilat, Franca, Italia, Portugalia, Zvicra, Hungaria e Serbia. Gjatë gjithë pasdites, do të përjetojnë orë feste, dëshmie e sidomos lutjeje, me temë fjalët e Isaisë profet: “Ja, më dërgo mua!”. Ati i Shenjtë bashkohet me ta në çastin e mbrëmësores në gjuhë të ndryshme.

         Ky është shtegtimi i njëmbëdhjetë i ministrantëve nga e gjithë bota në Romë. Programi fillon sot e vijon me meshë në kisha të ndryshme të Romës, si edhe me vizita në katakombe si ajo e shën Kalistit, ku pushon shën Tarçizi, pajtori i ministrantëve, apo xhakojve. Lutja së bashku me Papën do të bëhet në gjuhët e grupeve më të mëdha, pra, në gjermanisht, në hungarisht, në frëngjisht e italisht. Me këtë shtegtim, të rinjtë kanë mundësi të shohin e të përjetojnë universalitetin dhe përmasën komunitare të Kishës.








All the contents on this site are copyrighted ©.