2015-08-03 12:36:00

Ikona e Zojës së Czestochow-ës pret të varfërit para Lëmoshtarisë


I pret një e re, të gjithë besimtarët, shtegtarët e turistët, por kryesisht të varfërit, që kalojnë nga Porta e Shën Anës, për të shkuar në Lëmoshtarinë Apostolike. Është figurja e Zojës zeshkane, vendosur nga kryeipeshkvi Konrad Krajewski, lëmoshtar i Papës, në harkun e vogël para laboratorit të sixhadeve. Të gjithë ata, që shkojnë në Vatikan për të kërkuar bekime ose ndihmë, duhet të kalojnë pa tjetër nën hark, hapësirë gati-gati kishtare, shpjegon “L’Osservatore Romano”, tani që ikona artistike bëhet pikë ndalese për një shenjë të shpejtë kryqi, një lutje, një falënderim.

Përballë Zojës zeshkane mendimi të shkon menjëherë tek Shenjtërorja e Jasna Gora-s, mbi atë mal të ndritshëm, aq të dashur për Gjon Palin II dhe për të gjithë polakët. Nuk është  faqe shkëmbi, faqja e murit, ku u vendos ikona, por efekti i së bardhës së suvasë, harmonizuar me të verdhën e praruar të sfondit, nuk mund të mos e tërheqë menjëherë vëmendjen e kalimtarit. Sesa e ka tërhequr  që në ditët e para, këtë e tregojnë lulet, që kanë nisur të duken poshtë ikonës së Marisë. Shprehje, kjo, e devocionit popullor ndaj Nënës së Zotit. Nuk mund të mungonte, pastaj, edhe gjesti i motrave françeskane misionare të Marisë, që punojnë në laboratorin e sixhadeve e banojnë aty pranë: motrat vunë tek këmbët e Zojës një saksi me lule në kulmin e lulëzimit. Kjo ikonë, e njohur me emrin “Odigitria” – “Ajo që tregon udhën e të prin”, hyn menjëherë në shpirtin e atyre që kalojnë në këtë krah të Vatikanit, e i ruan. Edhe pse nga 14 deri më 23 gusht Lëmoshtaria apostolike do të jetë me pushime. Lëmoshtaria po, por jo Zoja!








All the contents on this site are copyrighted ©.