2015-07-31 13:01:00

Një film i Qendrës Televizive të Vatikanit në Festivalin e Venedikut


Do të paraqitet, jashtë konkursi, në Festivalin e Kinemasë të Venedikut, filmi i Gianfranco Pannone-s “Ushtria më e vogël në botë”, prodhuar nga Qendra Televizive e Vatikanit, me të cilin Selia e Shenjtë  është  për herë të parë e pranishme në këtë Festival. Protagonistë janë disa të rinj, që kryejnë shërbimin ushtarak në Rojën Zvicerane Papnore. 

Betohen solemnisht, rekrutët me uniformat e tyre të lashta, me ngjyra të ndezura, vit për vit, më 6 maj, në kornizën e Oborrit të Shën Damasit, në Vatikan. Data përkujton një episod tragjik të historisë, sot, simbol besnikërie: në këtë ditë të vitit 1527, 147 roje zvicerane humbën jetën, ndërsa Roma plaçkitej e mbytej në gjak nga lancikenekët protestantë. Kanë kaluar shekuj, që asokohe, e megjithatë, gjithçka duket e palëvizshme. Duket, po nuk është. Gjithçka ka ndryshuar. Bota, e edhe ëndrrat e këtyre të rinjve,  që vijnë nga Zvicra. Vihen për udhë nga viset e tyre të lulëzuara, drejt Selisë së Shenjtë, për këtë shërbim tejet të nderuar ndaj Papës e Kishës… I shikon gjithnjë, me alabardat e lashta e kaskat me puplajë, në drejtqëndrim, pa as më të voglën lëvizje, rreth Papës, sikur duan ta sigurojë në heshtje, se janë aty, si në vitin e largët 1527…

Ia vlente ta tregoje gjithë këtë histori me figura kinematografike e Qendra Televizive e Vatikanit ia besoi duarve të kujdesshme, të afta, të Gianfranco Pannones, detyrën e edhe përgjegjësinë të xhirojë filmin e parë kushtuar kësaj që, siç na e kujton titulli, është “Ushtria më e vogël në botë”. E pyetëm regjisorin, Gianfranco Pannone, si lindi ideja e filmit?

Përgjigje: - Isha që kur në lidhje me CTV-në, me don Dario Viganò-në për një projekt, që duhet ta bëja për Kishën katolike. Kur, papritmas, u thirra për gjë tjetër. Për dokumentarin kushtuar Rojës Zvicerane. Interesant. T’i kushtosh një vepër arti këtij institucioni disa qindravjeçar, që shumëkush nuk e njeh fare, ose, nëse e di se në Vatikan ka roje nga Zvicra, të flet vetëm për kostumet me ngjyra të ndezuara të devizës së tyre, që tërheqin vëmendjen e shtegtarëve e të turistëve. Ëdhe unë vetë mbeta pa gojë, kur u njoha nga afër me rojet. Ndoshta vuaja nga i njëjti paragjykim i atyre, që ndalen për një fotografi pranë këtyre djelmoshave të zgjedhur, që flasin disa gjuhë e e kanë gjithnjë buzën në gaz. Buzgazi i Papës për mysafirët…Këndvështrimi i ri më lindi falë ndikimit të Papës Françesku, që e theksoi rëndësinë e tyre. Kuptohet se filmi nuk interesohet vetëm historinë e traditat, që i rrethojnë Rojet, por edhe, e sidomos, për jetën e këtyre djelmoshave….

Nuk po shkojmë më gjatë në përshkrimin e dokumentarit, për të mos e humbur interesin, kur të shfaqet …








All the contents on this site are copyrighted ©.