2015-07-31 16:26:00

Kina e Irani, vendet që zënë kryet e vendit për dënimet me vdekje


U paraqit, në Romë, Raporti 2015 i Shoqatës “Askush të mos e prekë Kainin”, kushtuar dënimit me vdekje. Vihet në dukje evolucioni pozitiv lidhur me dënimin me vdekje në vitet 2014-15. Sipas Raportit, vendet, që kanë vendosur ta heqin këtë dënim, janë 161. Azia mbetet kontinenti ku kryhen shumica e ekzekutimeve, ndërsa SHBA-të janë i vetmi vend i Kontinetit amerikan, që ka ekzekutuar dënime me vdekje gjatë vitit të fundit (33) e edhe në muajt e  parë të vitit në vijim (17). Në Afrikë vitin e kaluar dënimi me vdekje u praktikua në 4 shtete, ndërsa në Evropë, i vetmi ekzekutim në një kontinent, tashmë të liruar nga ky dënim, u krye në Bjellorusi.

Ndonëse dënimi me vdekje konsiderohet nga shumica e njerëzve si akt hakmarrjeje e jo drejtësie, në Raport figurojnë vende të zhvilluara nga ana kulturore, që vijojnë ta praktikojnë. Ka disa aspekte, që duhen menduar kur flitet për këtë dënim: së pari, njeriu i dënuar me vdekje konsiderohet i pandreqshëm, prej këndej, i padëshirueshëm; së dyti, në këtë aspekt e pësojnë gjithnjë njerëzit më të ligshtë, të cilëve nuk ka kush u del zot. Mjafton të mendosh se akti kriminal është jashtëzakonisht i ndërlikuar. Duhen studiuar thellë edhe arsyet, që e shtyjnë njeriun në krim, aspektet kulturore, të natyrës sociologjike… E në se studiohen të gjitha arsyet që e shtyjnë njeriun të veprojë në një mënyrë të caktuar, do të mendohej ndryshe dhe për dënimin me vdekje. Mjafton të kujtojmë tërë atë dhunë, që hyn në shtëpitë tona përmes mjeteve të komunikimit, videolojrave… E gjithë kjo të shtyn të mendosh se akti kriminal nuk vjen plotësisht vetëm nga dëshira e kriminelit. Duhet gjykuar në gjithanshmërinë e tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.