2015-07-30 14:08:00

Ndjesa e Azisit: mund ta fitoni drejtpërdrejt!


Në një skaj të botës është një çudi e vogël, që i ngjet një peshtafi me gurë të çmuar: një Kapelëz, që njihet me emrin “Porziuncola” e që në shqip do të thotë:“Thërmijëz”. Ishte ky, toponimi mesjetar i një trualli pranë Asizit ku, rreth shekullit XI-XII lindi një kapelëz kushtuar Zojës së Engjëjve. U quajt që asokohe  “Shën Maria e Porciunkolës”, shkurtimisht “Porciunkola”, posaçërisht e dashur për Shën Françeskun që, pikërisht në këtë copëz toke themeloi Urdhërin Françeskan. Këtu deshi ta sillnin, kur e ndjeu se po i afrohej Motra Vdekje, këtu u shtri përdhe, këmbëzbathur. E këtu dha edhe frymën e fundit, në krahët e Mëshirës Hyjnore. 

Kur Urdhëri Françeskan, nga një filiz delikat, që ishte, u bë rrap madhështor shumëdegësh, sivëllezërit e Françeskut menduan të ndërtojnë një bazilikë mbi Thërmijëzën, por pa e cënuar. Bazilika u ndërtua mbi kapelëzën e vogël, që tani ka pamjen e tabernakullit, në mes të Bazilikës së Zojës së Engjëjve. Këtu rreh zemra e françeskanizmit e, natyrisht, edhe e festës së Ndjesës së Asizit.

E kjo, sepse Porciunkola ka privilegjin e Ndjesës së plotë,  e cila njihet si “Ndjesa e Asizit”. Prej këndej, prej më se shtatë shekujsh, këtu, në këto ditë të para të gushtit, rrajnë me mijëra shtegtarë.

Do të kremtohet si çdo vit,  më 1 e 2 gusht, duke u bërë përsëri thirrje shpirtrave ta kapërcejnë, fizikisht e shpirtërisht, këtë portë të jetës së pasosur, për t’u gjunjëzuar në heshtje e për të rigjetur paqe e pajtim, përmes ndjesës së madhe të Porciunkolës. E kjo Ndjesë fitohet pas rrëfimit  e kungimit, me premtimin që patën bërë Kiara e Françesku për t’iu afruar sa më shumë jetës ungjillore, të cilën që të dy e nisën pikërisht në Porciunkola.

Ngjarja e Faljes së Porciunkolës mbetet shprehje e mëshirës së pafundme të Hyjit  e shenjë  e pasionit apostolik të Shën Françesekut,

Thesari i Porciunkolës

Por, të kthehemi prapa në kohë. E jo pak. Por tetëqind vjet: “Në një  natë të vitit të Zotit 1216, Françesku ishte kredhur në lutje e në kundrim në kapelëzën e Porciunkolës. E në sa lutej, papritmas në kapelë vërshoi një dritë verbuese e Djaloshi pa, mbi elter,  Krishtin, të veshur me dritë e, në të djathtën, Nënën e Tij të shenjtnueshme, rrethuar nga një mori engjëjsh”.

Kështu nis një tregim, i vërtetuar nga diploma e Teobaldit (FF 3391-3399), përmes së cilës njohim zanafillën e kësaj ngjarjeje, që pati pasoja të jashtëzakonshme mbi historinë e kapelëzës së vogël të Shën Marisë së Engjëjve, të gjithë Asizit e të mbarë botës, drejt së cilës i nisi Françesku vëllezërit e tij zhgunamurrtë.

Një lumë hiri gurroi nga kjo Thërmijëz, përmes Varfanjakut të Asizit, për hir të Birit të Zotit e me miratimin e Papës Onori III. E që asokohe, kaluan shekuj, po Porciunkola nuk pushon s’i dhuruari paqe e ngushëllim shpirtrave në kërkim të shpëtimit.

Shumë shpejt Festa e Ndjesës së Asizit pushtoi botën. Sot vijon të kremtohet në mbarë Kishat françeskane, që mëshira e Zoti t’i arrijë të gjithë, ashtu si deshi Françesku.

Arritja e marshimit Françeskan

Ditët e festës, në Asizi, do të arrijë edhe marshimi françeskan, i titulluar sivjet “Kërkoj fytyrën Tënde”. Në sheshin e Bazilikës priten 1600 të rinj, ardhur nga mbarë Italia, por edhe nga viset fqinje. Sivjet do të ketë edhe përfaqësues të rinisë françeskane shqiptare, përkrah të rinjve kroatë, sllovenë e austriakë.

Kremtimet solemne

Natyrisht që në këto dy ditë kremtimet më solemne do të mbahen në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve, ku françeskanët përgatiten për Jubileun e madh të faljes, në tetëqindvjetorin e festës së madhe (1216-2016), përkim fatlum me Vitin Shenjt të Mëshirës, sipas dëshirës së Papës Françesku, që nis nga 8 dhjetori 2015, për të vijuar deri më 20 nëntor 2016.

Ndër kremtimet liturgjike më në shenjë, që do të mbahen sivjet, kujtojmë Triditshin e përgatitjes, kremtimin solemn për hapjen e festës, arritjen e shtegtarëve dhe kremtimet e 2 gushtit. Duke filluar nga Shën Maria e Engjëjve, kremtime të tilla do të mbahen në të gjitha kishat françeskane të botës. Mëshira u përket të gjithëve e mund ta fitojnë të gjithë duke u gjunjëzuar të penduar para Zotit e duke e marrë në zemër me dashurinë, që meriton.

Tani, kur teknologjia i krijon njeriut mundësinë të shtegtojë në mbarë botën, pa luajtur nga vendi i tij, të gjithë besimtarët mund të marrin pjesë në kremtimet e Porciunkolës, duke i ndjekur drejtpërdrejt përmes WebTV të Porciunkolës, ose duke vizituar faqen e internetit www.porziuncola.org.

Fretërit e Porciunkolës ju urojnë takim të lum me mëshirën e Zotit, që i bën të reja të gjithë sendet!








All the contents on this site are copyrighted ©.