2015-07-29 13:05:00

Ekspozitë në Vatikan, për të kujtuar kthesën me hebraizmin


Vjen nga SHBA në Vatikan, ekspozita, që të kujton kthesën e madhe në marrëdhëniet ndërmjet Kishës katolike dhe hebraizmit. E titulluar “Bekim reciprok - Papa Gjon Pali II dhe populli hebraik”,  mund të vizitohet në mjediset e mirënjohura të Krahut të Karlit të Madh, më të majtë të Sheshit të Shën Pjetrit.

Veprimtaria organizohet për të përkujtuar, dhjetë vjet pas vdekjes së Papës polak, kthesën e madhe në marrëdhëniet ndërmjet Kishës katolike dhe hebraizmit, falë veprimtarisë së Karol Wojtylës, Papa i parë që shkeli në një sinagogë, pas Shën Pjetrit. 

E hapur muajt e fundit në New York, Los Angeles, Chicago e Philadelphia, ekspozita, organizuar nga James Buchanan e William Madges, e paraqet dialogun ndërfetar si burim i progresit të njerëzimit, duke nënvizuar edhe një mori gjestesh, kryer nga Gjon Pali II: nga shtegtimi i trishtë në Auschwitz, më 7 qershor 1979 (kur pati shqiptuar fjalët kuptimplote: nuk mund të mos vija këtu si papë), e deri tek vizita në Sinagogën e Romës, më 13 prill 1986; nga Dita Botërore e lutjes për paqen, më 27 tetorin e mëpasëm, tek “mea culpa”, e Jubileut të Madh të Vitit 2000, pasuar nga shtegtimi historik në Tokën Shenjte, në mars të këtij viti të jashtëzakonshëm; nga takimet e shumta, në Vatikan, me “vëllezërit e mëdhenj”, siç e quajti ai vetë popullin hebraik, duke iu drejtuar bashkësisë hebraike, nësa i kthente përshëndetjen kryerabinit Elio Toaff, i vetmi laik, të cilin do ta kujtonte pastaj, me emër,  në testamentin e tij, tek 104 shtegtimet ndërkombëtare.

“Bekim reciprok” është titulli, që u zgjodh për të nënvizuar përkimin e plotë të veprimtarisë së Wojtylës me deklaratën konciliare “Nostra aetate”, dokument që, i shpallur  pesëdhjetë vjet më parë, shpreh vlerësimin e Kishës katolike ndaj feve të tjera e, posaçërisht, ndaj hebraizmit. Organizimi multimedial i ekspozitës i krijon vizituesit mundësinë të përshkojë gjithë rrugën e këtij “Bekimi reciprok”, duke nisur nga Wadowice, vendlindje e Papës Shenjt, që në këtë qytet polak pati lidhur miqësi me bashkëmoshatarët e tij të bashkësisë hebraike (siç dokumentohet në shkrimin “Letër mikut tim hebre”, të vatikanistit Gianfranco Svidercoschi) për të arritur deri tek Muri Perëndimor i Jeruzalemit, ku Papa Wojtyla ishte më 26 mars të vitit 2000, i përkulur, por jo i mundur nga motet e nga sëmundja. Përvojë vërtet e pasur e interesante, që të prek e të pasuron, përmes videove, kuadrove, fotografive, punimeve artistike e tingujve të lehtë akustikë, që ndjekin etapat e udhës së Gjon Palit II drejt pajtimit të Kishës katolike me rrënjët e veta hebraike.

Ekspozita mund të vizitohet falas që sot, 29 korrik, nga ora 09.00 - deri në orën 18.00 (të mërkurën, nga ora 13.00 - deri në orën 18.00, ndërsa të diel është e mbyllur) .

Për të ardhmen, organizatorët e ekspozitës shpresojnë të arrijnë edhe në Krakov, qytet aq i dashur nga Ai, që nxiti artin e ndërtimit të urave.

Qytet  tjetër, përqafim tjetër: me të njëjtin bekim reciprok!








All the contents on this site are copyrighted ©.