2015-07-28 17:08:00

At Pjetër Meshkalla S.J. në përvjetorin e vdekjes


Më 28 korrik kujtojmë përvjetorin e vdekjes së jezuitit shqiptar Atë Pjetër Meshkallës S.J. gjigantit fesë e të kulturës shqiptare, “Engjëlli i birucave”, simboli i inteligjencës katolike të persekutuar nga komunizmi.

At Pjetër  Meshkalla është një nga figurat më të ndritura të klerit katolik shqiptar, simbol i martirizimit të Kishës katolike shqiptare në periudhën e regjimit komunist, dëshmitar e mbrojtës i paepur i fesë në Zotin dhe i të drejtave njerëzore.

26 shtator 1901 - 28 korrik 1988: ndërmjet këtyre dy datave shtrihet jeta e jashtëzakonshme e jezuitit shqiptar Atë Pjetër Meshkallës, të cilit sot kujtojmë përvjetorin e kalimit në banesën e amshuar të Atit Qiellor. E ndërmjet këtyre dy  datave kemi një mori ngjarjesh që karakterizuan jetën e tij prej rregulltari jezuit e intelektuali: fillimisht studimet e Atë Pjetër Meshkallës në Seminarin Papnor në Shkodër, për të vijuar pastaj studimet tjera filozofike e teologjike në Linc të Austrisë, në Goricë të Sllovenisë, në Napoli të Italisë e deri te shugurimi tij meshtarak në Shkodër më 1931.

Veprimtaritë e panumërta të çmueshme pastaj të jezuitit, At Meshkallës, që nga themelimi i “Rrethit të Dom Boskos” në Tiranë për edukimin e rinisë më 1934, te “Rrethi i Shën Pjetrit”, po në Tiranë më 1937, tek shërbimet e panumërta e të pandërprera ungjillore e fetare, kulturore e kombëtare si, takimi më i vërtetë e i gjallë me njerëz në Sakramentin e Rrëfimit në rrëfyestore, ku Atë Meshkalla si meshtar, atë e mik pranonte çdo besimtar pendestar duke ndihmuar kthimin e çdo personi në rrugën dhe dritën e Zotit.

Pastaj duhet përmendur bashkëpunimin e At Meshkallës me revistat dhe gazetat më në zë e të rëndësishme të kohës, guximin e tij të patrembur për të mbrojtur haptazi bindjet fetare e njerëzore, pa marrë parasysh rrezikun e jetës, arrestimi me 1946 nga regjimi komunist, burgjet, ku At Pjetri bëhet mësues i shumëkujt, kampet e skëterrshme të persekutimit, ku çon dritën e qiellit, aq sa të quhet “Engjëlli i birucave” deri te lirimi, më 1960 dhe te profecitë e shprehura në letrat e famshme drejtuar kryeministrit komunist e shqiptuar në kulmin e reaksionit, ballë për ballë persekutuesve të tij, në mes të turmave të popullit, të cilat në zërin e tij prej meshtari e dëshmitari të së Vërtetës e Dashurisë, dëgjuan jehonën e apostullit të lirisë: “Ju mund të më dënoni sa të doni, por unë prap se prap do të jem i lirë. Ndërsa ju keni me hangër shoqi-shojin”.  Rinia do të shohë se nuk ka me shkue gjatë e edhe një herë kanë me u ndertue Kishat e kumbonaret, bile shi prej këtyre qi po i prishni!”.

I burgosur dy herë nga regjimi komunist, At Meshkalla mbetet simboli i inteligjencës katolike të persekutuar nga komunizmi. Ai vetë e cilësonte kështu klerin katolik shqiptar: “Kleri katolik shqiptar asht kleri mâ heroik që ka me cilësua historia në rrugën dymijëvjeçare të Krishtit, sepse mbas 500 vjetësh robnì, po të merret prej vitit 1912 deri në 1944, janë vetëm 30 vjet me formue nji kler, e për 30 vjet kleri katolik shqiptar ka nxjerrë aq heronj sa nuk ka nxjerrë asnji kler tjetër në botë".

Në një moment tjetër, At Meshkalla pati pohue: “Për me kalue ndonjë ujë, hidhen në te gurë të mëdha e të vogjël, të parët, të dytët, të tretët...zhduken, zhyten, nuk shihen ma.... hidh e hidh, tek e fundit nisin me nxjerrë krye disa aty-këtu; rrëshqasin, prapë hidhen të tjerë...deri sa bahet kalimi, keq a mirë, por bahet. Ka me ardhë koha që do të bahet ma mirë. Na jemi gurët, të mëdha o të vogjël, të hjedhun në fillim, të cilët zhduken e nuk shihen ma, por janë në temel të parë... Qe ambicioni i temelit: Me u zhdukë e mos me u pa ma! Prej të parëve pritëm nji Shqipni të lirë! Nipat presin prej nesh nji Shqipni të lumturn!

Sot, ne jemi të gjithë dëshmitarë të realizimit të kësaj profecie dhe nga ata që gëzojnë të mirat e lirisë e të demokracisë, që kanë për themel, gjigantë si Atë Pjetër Meshkalla. At Pjetër Meshkalla, mbetët udhërrëfyes i njeriut në rrugën e humanizmit e të shenjtërisë, si e Lumja Nënë Terezë, edhe ai ishte e mbetët shembull i dashurisë në veprim. Po e përkujtojmë me një montazh, shkëputur nga vepra e tij poetike, pjesërisht e botuar, pjesërisht e shpërndarë në organe shtypi ose e mbetur në dorëshkrim:

"Lëviz mbrendia qenësore e sendeve,
që burimin
tek Zoti e ka e kah Zoti priret.
Këtu thehet copë-copë;
nën peshën e Orakullit të natyrës,
nën peshën e të mëdhajve ‘Psehe”?
penda e Zheniut;
gjuha e Zheniut belbëzon…
Nuk shpreh dot çka shijon…
Vetëm mbi-natyra
Me zanin e Revelacionit e të Mistikës,
mund të na bijë një “Fjalë të re”…
… … … … …

Rigoni, o qiellë nga siper,
e retë të qesin si shi
të Drejtin.
Të hapet toka
e të mugullojë Shëlbuesi…

… … … .. … … 

Zgjoju, zgjoju, o fisi i Jakobit,
harpën tande bane sot t’tingëllojë ;
ngrehnju të gjitha, o ju bija të Sionit,
kanga e juej deri në qiell le të ushtojë!
Nga një Virgjin e trollit të Davidit,
një fëmijë do t’u lindka në këtë dhe,
emni i tij: “Engjull këshilli e misteri”,
emni i tij: “Perëndija me ne!”.
Rrufe s’ka, s’asht i rreptë si duhia,
Po â’ i kandshëm si voesa n’agime,
urdhni i tij: siellni shpatat në parmenda,
ktheni shtizat per kosa n’punime!

… … … … … … … … … 

Sa Jezusin ta kemi
nder zemra të vajtueshme;
të ngrohun na jemi
me hire t’hyjnueshme:
i drejti n’ket jetë,
ka pagj’n e vertetë,
që t’tjerët nuk e kanë.

… … … … … …

Lindi Krishti në zemrën time,
më pruni pagjë e dashuni, 
më reshi forcë e ngushëllime
zhduku terr e burg të zi.
Unë dikur me mburrje shkojshe
Per pusina, kurtha e leqe;
krime në terr unë farkëtojshe:
hodha hapin për rrugë të keqe…
Epshi e faji janë veriga
Që, tue t’lëmue, të skllavënojnë;
shpirti s’ka qetësi n’punë t’liga,
që veç rrathët ma fort shtrëngojnë.
Mallkue kjoftë përherë mbrapshtia,
rruga e turpit sot kjoftë pre!
U thyen prangat, ktheu liria,
shtegu u hap për jetë të re!

… … … … … …

Ti, lajamëtar, që bje lamimin e mirë,
lësho, pa frikë, me fuqi zanin tand,
thuej : “Një Bir shpëtimtar na âsht falë!”,
e jehona t’marrë dhenë anekand!
Popujt mbarë të vrapojnë e të thërrasin:
t’vemi Malit të Shêjtë bashkë përpjetë,
të ecim, të ecim n’ shkelqimin prarues,
lajmi i mirë ne sot na dha fletë!”.
Mos t’i ndahemi dritës, të vrapojmë,qe, po shfaqet Zoti - lavdi!
Rruga e tij âsht mëshirë e sherim,
Ligji i ri: vllazënim e dashni!".

********

Lutje!
O Zoti em, ma fal sinqeritetin,
ma jep instinktin me e njohun n’erë
hipokrizinë; Ti më jep edhe guximin,
të vërtetën vehtes me ia thanë pa frikë,
si kirurgu m’ia vue thikën gangrenës;
hydren me e shtypë, sa herë kërkon t’çojë krye,
mos të jem’ unë ujk i veshun me lëkurë kingji,
as varr i zbardhun jashtë e, mbręndë kufomë!
O Zoti em, ma jep sinqeritetin 
e fëmijës së pafajshëm, të thjeshtë e pa mashtri!
O Zoti em, ma jep sinqeritetin 
E njerëzve vullnet- mirë, që paqë lypin,
me vehten e me shoqin e, me Ty!
Oh, kjo lutje nuk asht,
Nuk asht h i po k r i z i!

Nanë, ktheju!
Njâsaj, që’ i ditë prej sulmeve 
Të Kulçedrës me shtatë krena,
na u bâ mburojë e, të nęmuna
s’duroi t’i shohë këto dhena.
Njasajë… por vaj, na fajeve
në verbim s’u vume cak 
e Nanës iu randue zemra,
iku edh’e la këtë prak!
O ju, që parzme hekuri
Luftuet për bésë e fé,
idhtë tue valvitun Flamurin,
shenjtnue me gjak e bé,
Zgjonju nën rrasa të heshtuna,
ngrihnju me pa mjerim!
Ndihma e Arbënisë, e Pamposhtuna 
ç’u ba?... Si drita u shkim !!...
Po a kurrë, thue, ma kurrë Virgjina
-me gjâmë kah thrret Shqipënia,-
S’do të ndrisë, si ndriti moteve
Përbrinjë Rozafës… M A R I A ?!
Tepër lënguem këso shtigjeve 
Si fëmija mbetë pa nanë,
për né ma dritë nuk lëshuene 
as hyj, as diell, as hanë
Po a kurrë, ma kurrë, s’do të ngrohemi?
Pa shpresë do të rrijmë e të presim?
Po a heshtun gjithmonë valleja
Do të ngeli, në terr kah dënesim?!
Jo, jo! Pse qiellëve të epëra
Zoti me dorë të vet
Ka shkrue: “ E Zojës asht Shkodra,
e, Zoja e Shkodrës së vet!”
Qé, ké ato mure të ndrituna,
-zemra m’a ndiën,- qé zani
i një populli në hov të galdimave,
Tue brohoritë: “O ngâni !...
Ktheu, N A N A !” O, ditë ma e bukra 
që Arbënia prét, ago!
Nanë ktheju, e, në mburoje të hireve
Në fé shenjte na vëllazno!
Shkodër, 1927

 








All the contents on this site are copyrighted ©.