2015-07-27 13:56:00

Karchner: ju tregoj verën e Françeskut, me lutje, miq e punë


Të mërkurën e ardhshme, më 5 gusht, do të rifillojnë audiencat e përgjithshme. Përfundon, kështu, periudha e shkurtër pa angazhime publike e Papës Françesku, pas shtegtimit entuziazmues në Amerikën Latine. Në të vërtetë, siç e kemi kujtuar, edhe në këtë periudhë pushimesh,  Papa është “në punë”. Merret me angazhimet e tij të ardhshme, duke nisur nga shtegtimi në Kubë e SHBA. Për një dëshmi të drejtpërdrejtë mbi pushimet e Françeskut, intervistuam imzot Guillermo Karcher, ceremonier papnor, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të  Jorge Mario Bergoglio-s:

Pyetje: - Si po i kalon pushimet Papa? 

Përgjigje: - I kalon me shumë qetësi e gëzim. E shoh gjithnjë të kënaqur, çdo mëngjes. Gjithnjë me punë, me duar zënë, plot me karta, korrespondencë: ai dëshiron gjithnjë të përgjigjet personalisht. Prej këndej, e kalon këtë periudhë në lidhje me të gjithë miqtë, me njerëzit, që i do. Përfiton për këtë, sepse ka më shumë kohë në dispozicion; e atëherë i kushohet kësaj  veprimtarie. Natyrisht, edhe leximeve të dokumenteve e të projekteve, që lidhen me të ardhmen e afërt.

Pyetje: - Mbi avionin e kthimit nga Amerika Latine, Papa theksoi se do të studionte – përdori pikërisht këtë term – për të përgatitur shtegtimin drejt Kubës e SHBA-ve. Françesku e ndjen shumë rëndësinë e këtij shtegtimi të pritur, pas vizitës së jashtëzakonshme në trojet e tij, në Amerikën Latine….

Përgjigje: - Po! Mendoj se ky vit do të jetë i bukur, sepse  është viti kur do “ta rrokë” gjithë kontinentin e Amerikës: evropianët thonë thjesht Amerika, sepse e konsiderojnë një kontinent të vetëm…. E, përdora edhe foljen “me rrokë”, sepse në shtator do vizitojë Kubën, që është në Amerikën qendrore. E pastaj, edhe SHBA-të, në veri të Amerikës. Është shumë i interesuar për këtë shtegtim, sepse do të mund ta konkretizojë e ta bëjë të dukshëm rezultatin e një pune diplomatike e baritore njëherësh, që ndihmoi në rilidhjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kubës e SHBA-ve. Mendoj se kjo e bën shtegtimin shumë interesant: përveçse vizitë baritore, është gati-gati edhe vizitë falënderimi për të dy kombet, që më në fund i shtrënguan dorën njëri-tjetrit. Ai, si njeri i ardhur nga jugu i Kontinentit, është protagonist i një çasti historik.

Pyetje: - Papa Françesku thotë gjithnjë se është bari, të cilit i pëlqen të ecë ndërmjet njerëzve. A i mungon, sipas jush, kjo liri, sidomos në këtë periudhë pa takime publike?

Përgjigje: -  I mungon. Papa është mësuar të ecë, të lëvizë, të rrijë ndërmjet njerëzve. Mendoj për verën e Argjentinës, për muajin janar, që mund të krahasohet me këtë korrik të nxehtë e plot zagushi: ai i kalonte ditët duke vizituar favelat e Buenos Aires e duke e jetuar me e si njerëzit e lagjeve të varfra  këtë periudhë të vështirë.  E tani ia ofron Zotit dhe e shikon si çast për t’ia dhuruar Atit qiellor këtë mënyrë të të jetuarit të shërbesës së tij papnore, me zemër pranë njerëzve që vuajnë edhe pa vapën, e cila tani po ua bën jetën të padurueshme. Të kujtojmë barakat, ku natyrisht nuk mund të mendohet për mjete, që e freskojnë mjedisin dhe e pastrojnë ajrin…

Pyetje: - Më 5 gusht rifillojnë audiencat e përgjithshme. Papa - e dimë, sepse e ka thënë ai vetë, duke shpjeguar edhe pse vijon të banojë në Shën

Martë - ka nevojë të jetë mes njerëzve, mes popullit. E kjo nevojë nuk shkon me pushime...

Përgjigje: - Ashtu është. Nëse flasim për pushime, për një periudhë, në të cilën njeriu i ndërpret angazhimet e zakonshme, për një periudhë prehjeje, Papa i bëri pushimet në këto pak ditë të korrikut, menjëherë pas shtegtimit në Amerikën Jugore. Tani pushimet mbaruan e në gusht rifillon çasti i rëndësishëm i javës, në të cilin bën katekizmin e rikthehet në gjirin e popullit të Zotit. Kjo dashuri, karakteristike për të, bëhet edhe më e prekshme, kur njeriu e shikon me sytë e vet sa dashuri jep, e edhe sa merr: sepse dashuria shkëmbehet.… E kjo e mbush me energji. Gjë e bukur, sidomos, ta shikosh në mes të sëmurëve, të vëresh humanitetin, që buron prej tij e fenë që ngjall në zemrat e njerëzve. E pastaj përqafimin me argjentinasit: grupet e tyre janë gjithnjë të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit e i sjellin Papës dashurinë e përtej Oqeanit. Pastaj takon shumë miq, dashamirë e familjarë. E gjen për të gjithë një çast të pasur me përvojë njerëzore e shpirtërore.

Pyetje: - Me që ra fjala për Argjentinën, edhe në këtë periudhë e dimë se Papës nuk i mungon pija me emrin mate. Ju jeni argjentinas, si Ati i Shenjtë: pse është kaq e rëndësishme për ju kjo pije ? Ju kujton trojet tuaja?

Përgjigje: - Duhet kujtuar se ne, që fëmijë, pijmë mate. Madje kur je fëmijë nëna ta jep maten paksi të vakët, duke e përzjerë edhe me pak qumësht. Bëhet, kështu, një lloj çaji  karakteristik, që na shoqëron gjithë jetën. E pastaj  pihet në shoqëri; sepse je gjithnjë me ndokënd, kur e pi. Ka një kuptim familjar shumë të thellë. Mendoj se bën pjesë në rrënjët e identitetit argjentinas, ashtu si dhe të vendeve të tjera: Uruguajt, Paraguajt, Kilit…. Por argjentinasi, në mënyrë të veçantë, e jeton si çast prehjeje në gjirin e shoqërisë a të familjes. Askush nuk e merr në dorë një gotë mate, për ta pirë i vetëm. Pihet gjithnjë në shoqëri. E pastaj është edhe pije shumë e shëndetshme, sepse të ndihmon të luftosh kolesterolin. E për ne, që hamë shumë mish, ku ta dish, mund edhe të na ndihmojë… Ndërmjet tjerash, është pije e jezuitëve, që nisi të pihej në qytezat jezuitike: ata e gjetën maten, si barishte, për të luftuar alkoolizimin e indianëve të asaj epoke. Pastaj u bë pije mjekësore. E sidomos për ne, argjentinasit, që vuajmë më pak nga kolesteroli falë mates,  e cila na ndihmon të hamë mish e të mos prekemi nga kjo sëmundje.








All the contents on this site are copyrighted ©.