2015-07-27 17:03:00

Forcë OKB-je kundër Isis: Moska kërkon udhëheqjen


Një koalicion ndërkombëtar kundër Isis, nën udhëheqjen e OKB-së: ky është propozimi i Rusisë, për të cilin flet ish-ministri i jashtëm rus, Siromolotov, ish-kreu i shërbimit të kundërspiunazhit, në një intervistë për gazetën “Kommersant”. Roli i Moskës, sipas tij, duhet të jetë udhëheqës. I kërkuam një koment pedagogut të historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Salentos, Daniele De Luca:

         Është mjaft e ndërlikuar, sepse për të pasur një aksion ushtarak, ose një koalicion ushtarak në OKB, duhet pjesëmarrje e një sërë aktorësh brenda vetë Kombeve të Bashkuara. Duhet parë nëse në Këshillin e Sigurimit janë të gjithë dakord për një nismë të tillë. Ideja e ish-ministrit të jashtëm rus është jashtëzakonisht interesante, sidomos sepse e propozon Rusia, e cila, kohët e fundit, po kërkon gjithnjë e më shumë një rol në arenën ndërkombëtare. Edhe SHBA-të duhet të kujtohen se pa ndërhyrjen vendimtare të Moskës nuk do të ishte arritur marrëveshja me Iranin…

         Rusia në plan të parë… Po ekuilibrat e tjera, cilat do të ishin?

         Dy çelësat janë sigurisht SHBA-të dhe Rusia. Pastaj, duhen pasur parasysh edhe interesat e tjera në zonë. Fuqia e tretë, që është Kina, në këtë çast, nuk ka interesa të mëdha në zonën ku është krijuar Kalifati i Isis. Kina ka interesa në Lindjen e Afërt. Prandaj, i duhet dhënë roli i duhur Rusisë. Të mos harrojmë se Rusia është aleate si me Iranin, ashtu edhe me Sirinë. Ajo ka, ose mund të ketë probleme kufiri me Turqinë, edhe për shkak të infiltrimeve të mundshme terroriste. Nuk duhet harruar edhe se Rusia, që prej vitesh, po lufton kundër terrorizmit radikal islamik në Çeçeni. Çështja çeçene nuk përmendet më, por është akoma e gjallë e jashtëzakonisht aktive në zemër të Kaukazit, i cili është porta drejt Evropës.

         Përsa i përket Shtetit Islamik, si duhet luftuar? S’bëjmë tjetër veçse hedhim bomba mbi të, si në Irak, ashtu edhe në Siri, por po kalojnë vite pa rezultate…

         Në luftra si kjo, roli themelor i takon inteligjencës. Nëse në terren nuk ka njerëz të shërbimeve sekrete, që gjejnë objektivat e vërteta, bombardimet janë të kota! Në një mënyrë apo në një tjetër, Afganistani na ka treguar se nëse nuk kemi kontakte e agjentë në terren, nuk kemi as objektiva. Kështu janë edhe bombardimet e këtyre ditëve nga Turqia. Nga njëra anë, janë sulme demonstrative, nga ana tjetër, shërbejnë për të goditur bazat më të dukshme, që nuk janë ato të Isisit, por, fatkeqësisht, ato të kurdëve.

         Sipas jush, ç’rol mund të ketë Turqia?

         Çështja e vdekjes së dhjetra aktivistëve turq – e është themelore të kujtojmë se janë turq, më parë se të jenë socialistë apo tjetër – e ka shtyrë qeverinë turke të reagojë. Por, kujdes me atë që bën në terren – e përsëris – vërtet, ka filluar të sulmojë disa baza të Isis, por ndërhyrja turke është sigurisht edhe një mënyrë për të zgjidhur një sërë problemesh me pakicën kurde, e cila, kohët e fundit, ka tërhequr simpatinë ndërkombëtare. Të mos harrojmë se kurdët janë të vetmit, që mbrojtën Kobanen, qytet i rëndësishëm strategjik. Prandaj, Turqia mund të prekë krerët e partive të ndryshme kurde e sidomos ata të Partisë së Punës së Kurdistanit (PKK).








All the contents on this site are copyrighted ©.