2015-07-27 16:16:00

Papa: javën e ardhshme Vatikani do të “pushtohet” nga ministrantët


Takimi i parë papnor pas pushimesh

Papa Françesku pothuajse i përfundoi pushimet. Të mërkurën e ardhshme, më 5 gusht, rifillon audiencat e përgjithshme, ndërsa  të martën, 4 gusht, parashikohet një takim i madh në Vatikan. Sheshi i Shën Pjetrit do të ‘pushtohet’ nga ca shtegtarë jo të zakonshëm. Janë ministrantët, nga vende të ndryshme të Evropës, ndërmjet të cilave Franca, Italia, Portugalia, Zvicra, Hungaria, Serbia, Malta e Austria. Do të mungojnë vetëm ministrantët e Gjermanisë, që e jetuan shtegtimin e tyre kombëtar në gusht 2014.

Shtegtim, që organizohet çdo pesë vjet

Çdo pesë vjet Coetus Internationalis Ministrantium, organizëm ndërkombëtar, i cili përfshin realitetet e ndryshme kombëtare e dioqezane,  që merren me ministrantët në Evropë, organizon një shtegtim në Romë. Është ky, që do të mbahet më 4 gusht, me temë “Ja ku jam, dërgomë!”(Is 6,8). Në takimin, i cili ndjek atë, që u kremtua më 2010, do të jenë të pranishëm 9 mijë ministrantë.

Kremtimet kryesore do të jenë Mesha me Papën Françesku dhe Festa e ministrantëve.

Kush janë ministrantët?

Kujtojmë se ministrantët, që dikur në Shqipëri thirreshin xhakoj, mund të jenë djem ose vajza (në rastin e fundit duhet miratimi i ipeshkvit dioqezan), që shërbejnë në elter gjatë kremtimeve liturgjike. I shërbejnë bashkësisë së krishterë, meshtarëve e diakonëve. Kushtetuta konciliare kushtuar Liturgjisë kishtare "Sacrosanctum Concilium", në n. 29, i kujton "ministrantët", duke e quajtur shërbimin e tyre "shërbesë e vërtetë liturgjike”.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.