2015-07-26 16:44:00

Poloni: në Czestochowa, Forumi evropian i të rinjve 2015


Nga 26 deri më 31 korrik të rinjtë e mbarë kontinentit do të takohen në Czestochowa, në kuadrin e Forumit evropian të të rinjve 2015. Tema e manifestimit: “Të shikosh Atë!”, të kujton temën e Ditës Botërore të Rinisë (DBR), kremtuar në nivel dioqezan në fund të marsit: “Lum të pastrit në zemër, sepse do të shohin Hyjin” (Mt 5,8).  Kryedioqeza e Czestochow-ës, përkrah me Bashkësinë Emanuel, që e organizojnë për herë të tretë këtë takim rinor, përveç pjesëmarrjes së të rinjve dhe ngjarjeve me karakter  fetar, kanë në program edhe  seminare e takime nga më të ndryshmit. Ndërmjet tyre, ai me sociologun e ish-sekretarin e përgjithshëm të Comece-s (Komisioni i Episkopateve të Bashkimit Evropian), imzot Piotr Mazurkiewicz; me specialistin e antropologjisë mariologjike, Wincenty Laszewski si dhe me Anna Golendzinowska, ish fotomodele që, pasi përshkoi një udhë të vështirë, u kthye në fenë katolike.

Takime lutjeje për çiftet e reja të bashkësisë Emmanuel

Forumi i parë ndërkombëtar i të rinjve u mbajt në vitin 1991, në qytetin bavarez Altoetting, si etapë përgatitore për DBR-në e Czestochow-ës, parashikuar për vitin e mëpasëm. Anëtarët e bashkësisë Emanuel, themeluar në Francë në vitin 1976, e pranishme në Poloni nga viti 1993, organizojnë takime lutjesh si me karakter kombëtar, ashtu edhe në shkallë globale.








All the contents on this site are copyrighted ©.